Politike

Basha: Rama, vetëm propagandë

Lulzim Basha thotë se Edi Rama në vend që t’u kërkojë falje shqiptarëve për mosmbajtjen e premtimeve në këto tetë vite të qeverisjes së tij, po përpiqet që t’i mashtrojë sërish qytetarët me premtime të reja.

“Dje unë ju listova vetëm 9 premtime të Ramës me të cilën kërkoi votën, por nuk janë mbajtur, por nuk janë 9 janë me dhjetëra premtime që ai nuk i ka mbajtur. Bindja ime që është bindja e çdo qytetari që një kryeministër që nuk mban premtimet me të cilat vjen në pushtet nuk ka të drejtë morale të kërkojë një mandat tjetër. Jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por tani vjen me të tjera premtime boshe, vetëm propagandë, vetëm dështime, rezultati Shqipëria ka ngecur në vendnumëro”, tha Basha.

Kreu i PD-së deklaroi se shqiptarët sot janë më të varfër se më parë për shkak të keqqeverisjes dhe akuzoi Ramën se e ka lënë vendin pas në garën për integrim në BE me vendet e tjera të rajonit.

“Vendet e tjera rreth Shqipërisë kanë bërë përpara, ne rrimë në vendnumëro dhe fajtori është Rama. Tani e vetmja gjë që bën është të na sjellë premtime të reja”, i shpreh ai.

Në fund, Basha komentoi shkurtimisht edhe arrestimet e fundit të SPAK. Ai tha se SPAK duhet të shtojë ritmin e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë