Politike

Basha: Rama të dëgjojë zërin e popullit

Një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar para Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se nuk do të ketë dialog me Edi Ramën, duke u treguar hermetik lidhur me mandatet dhe protestat e ardhshme. Në një prononcim për mediat Basha tha se Edi Rama duhet të lejojë hetimin e dy dosjeve nga ana e Prokurorisë dhe të dëgjojë zërin e popullit.
“Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes politike, t’i zgjidhë duart drejtësisë dhe të lejojë hetimin e dosjeve 339 dhe 184. Nuk është në gjendje ta bëjë se është pjesë e dosjes, ndaj zgjidhja mbetet në dorë të popullit dhe populli do ta ketë në dorë deri sa të kemi çlirimin e qeverisë nga krimi”, tha Basha.
I pyetur për takimin me zv.ambasadoren amerikane, ai u shpreh se nuk komenton as deklaratat dhe as takimet me përfaqësues të partnerëve strategjikë. Ai u tregua i prerë duke thënë se “Opozita nuk ka asnjë hap pas në luftën kundër krimit që ka asgjësuar zgjedhjet, ka vetëm hapa përpara”. “Me modelin që do të vendosim, kandidatët e ardhshëm për deputet të PD do të zgjidhen me parimin ‘një anëtar një votë’”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë