Politike

Basha: Rama në panik. Ja ku gjenden 105 mln $ për studentët

Deklaratën e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me adresimin e shqetësimeve të ngritura nga studentët, Lulzim Basha e interpretoi më shumë panik nga protesta dhe pakënaqësia popullore në rritje sesa një zgjidhje reale e kërkesave të tyre.

“Pas panikut që e ka mbërthyer po përpiqet të mashtrojë studentët dhe opinionin publik me të ashqutuajturin pakti për universitetin”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike në një konferencë për mediat të thirrur pas mesditës së të mërkurës.

Basha thotë se vërtet vendi dhe studentët kanë nevojë për një pakt, por pakti i propozuar prej tij shkon përtej universitetit, siç flet Kryeministri Rama. “Vendi ka nevojë për një pakt të ri kombëtar, që fillon me largimin një orë e më parë të kësaj bande kusarësh, që vjedh natën dhe mashtron ditën”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama ritheksoi se dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë mbetet i pamundur për vitin e ardhshëm. Por, për Lulzim Bashën dyfishimi është plotësisht i realizueshëm dhe paratë me pak vullnet politik gjenden lehtësisht.

“Edi Rama ka ndarë 18 mln dollarë për pajisje zyrash dhe orendi, 21 mln dollarë më shumë për shpenzimet operative, 12 mln dollarë për skandalin tek Unaza e Re, 21 mln dollarë për Klodian Zoton dhe Klodianin tjetër në aferat e inceneratorëve në Tiranë, Fier e Elbasan dhe 33 mln dollarë për Vilma Nushin, Ilir Rrapajn dhe Jani Karathanon. Në total janë 105 mln dollarë që Edi Rama i çon për 7-8 projekte korruptive të kontrolluara nga 3-4 njerëz të lidhur me të dhe ministrat e korruptuar të tij, siç është Arben Ahmetaj”, u shpreh Basha.

Basha thotë se shuma në fjalë tejkalon 74 milionë dollarët, aq sa ka përllogaritur Partia Demokratike që do të mjaftonin për të dyfishuar buxhetin për arsimin e lartë.

Hapi i parë për zgjidhje, sipas Bashës, është shfuqizimi i ligjit aktual për arsimin e lartë, që thotë se është gurthemeli i gjendjes katastrofike në të cilën ndodhen sot universitetet shqiptare.

“Është gurthemeli ku qëndron godina korruptive. Taksat për familjet e studentëve janë rritur, tarifat sa vijnë e rriten, pra shqiptarët vidhen dyfish dhe s’ka përmirësim në cilësinë e arsimit. Kemi arsimin e lartë më të shtrenjtë në Europë dhe cilësinë më të dobët në Europë, e një nga më të dobtat në botë”, deklaroi ai.

Kryeministri Edi Rama thotë se ligji i arsimit të lartë nuk ndryshon dhe për të gjetur një zgjidhje kërkon dialog me studentët. Dialog me pedagogë e student duket se do të kërkojë edhe Lulzim Basha, por si pjesë e platformës së opozitës për të ngritur ligjin e ri për arsimin e lartë dhe rrëzimin e ligjit aktual.

Një tjetër propozim i Partisë Demokratike ishte edhe tarifa zero për studentët nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj dhe tarifë të përgjysmuar për studentët nga familje me të ardhura më të larta se kjo shifër.

Në përllogaritjen e PD-së paratë e hedhura në afera korruptive dhe shpenzime shpërdoruese mjaftojnë edhe për të ndihmuar përmes subvencioneve pesë mijë studentë që mbërrijnë nga familjet në nevojë.

“Po të kishim një qeveri të përgjegjshme, drejtësi funksionale as Rama dhe as kabineti i tij i korruptuar nuk do të arrinin që të çonin 105 mln dollarë në xhepat e 3-4 personave. Nuk do të kishte mundësi të gënjente siç gënjeu sot. Rama dhe qeveria e tij nuk qeverisin më, vetëm grabisin dhe menaxhojnë pakënaqësinë popullore përmes propagandës, përçarjes dhe blerje së çdo faktori”, deklaroi Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë