Politike

Basha: Anulojmë të gjitha vendimet e marra pas 18 shkurtit nga ky Parlament

Lulzim Basha paralajmëroi se nesër në pushtet do të anulojë të gjitha vendimet e marra nga Parlamenti aktual pas 18 shkurtit, kur Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e tyre vendosën braktisjen e Kuvendit dhe djegien e mandateve.

“Nuk ka Parlament! Ka një strehë të kriminelëve që me ligjin dekriminalizimit nuk duhet të ishin aty dhe disa të tjerë që kujtojnë se po gënjëjnë shqiptarët, ndërkohë që nuk gënjejnë dot familjen e tyre. Ne do të zhbëjmë çdo akt që ka bërë ky prej datës 18 shkurt me efekt prapaveprues dhe në këtë rezolutat dhe pseudorezolutat kanë më pak vlerë”, deklaroi Basha në një bashkëbisedim me gazetarët këtë të premte.

Por cilat janë vendimet e tjera të bujshme të këtij Kuvendi që zotohet të zhbëjë Partia Demokratike me efekte prapavepruese, pra që cilëson nul dhe pa efekte për qytetarët? Gjatë kësaj periudhe Kuvendi ka marrë një seri ndryshimesh ligjore dhe miratuar ligje të reja me rëndësi të madhe, sidomos sa i takon tenderimit dhe ekonomisë.

Kujtojmë se me ligj të veçantë janë miratuar në Kuvend dy kontratat PPP Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat, me një vlerë totale mbi 250 mln euro. Është miratuar edhe Korporata e Investimeve dhe është duke u shqyrtuar ligji i ri për shpronësimet.

Veç këtyre, kjo mazhorancë ka ndërhyrë edhe në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, duke ashpërsuar një sërë veprash penale dhe duke shtuar vepra të reja në këto kode.

Ndërkohë, duke u ndalur tek përplasja Presidencë-Kuvend sa i takon Gjykatës Kushtetuese, kryedemokrati përsëriti qëndrimin e opozitës, që qëndron se e gjitha loja e mazhorancës po bëhet për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe më pas të ligjërojë 30 qershorin.

“Rasti i përpjekjes së Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese, tregon qartë se kush nuk e do reformën në drejtësi. Edi Rama e kishte jetike kapjen e Gjykatës Kushtetuese sepse kjo gjykatë ka për të vendosur për disa çështje jetike siç është 30 qershori”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë