Politike

Basha: Qeveri tranzitore, largimi i Ramës nuk negociohet

Një ditë para protestës së radhës kombëtare, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se, shqiptarët tashmë duhet të marrin fatet e vendit në duart e tyre.

Nga Burreli, Basha tha se nuk bën asnjë hap pas në kërkesat e tij për qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme dhe largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama.

Kryedemokrati u shpreh se opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë, por zgjedhje të lira për “largimin e horrave”. Ai refuzoi edhe letrën e tretë të Ramës, ku i bënte thirrje për dialog.

“Koha kur Edi Rama dhe një grusht horrash marrin peng një Shqipëri të tërë mori fund.  Nuk do të bëjmë asnjë hap pas, vetëm përpara. Fundit i tranzicionit dhe ëndrra jonë për Shqipërinë si gjithë Europa do të jetë konfluzioni final i kësaj beteje. Largimi i Edi Ramës nuk negociohet. Nesër dhe në ditët e ardhshme do të vendoset fati për 10 vitet e ardhshme. Vetëm përpara, asnjë hap pas, me një qeveri tranzitore, jo pushtet në tavolinë, jo pushtet me krimin, por do ia heqim pushtetin e krimit nga tavolina Edi Ramës. Beteja me të keqen do ta fisnikërojë Shqipërinë. Më 30 qershor nuk pranojmë një tjetër krim. Largimi i Ramës, kusht që nuk negociohet”.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka marrë si shembull modelin e Britanisë së Madhe dhe të Austrisë,  ku kryeministrja britanike Theresa May dha dorëheqjen pasi nuk arriti të finalizonte marrëveshjen e Brexit, ndërsa kancelari austriak Kurz çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi zëvendësit të tij i doli një video skandal.

Sipas kryedemokratit, “Rama do ishte larguar kur u zbulua se solli në parlament kriminelë, vrasës e përdhunues. Do të ishte larguar kur ylli i tij Saimir Tahiri u kap me trafikantët e drogës, kur Damian Gjiknuri u kap me vjedhje pas vjedhjeje. Duhet të ishte larguar kur me kryekriminelin Ylmer Lala vodhi zgjedhjet në Dibër. Duhet të ishte larguar kur Vangjush Dako u kap duke blerë votat. Duhet të ishte larguar kur u zbulua afera e Unazës së Re. Duhet të ishte larguar kur helmoi fëmijët me gaz. Por Rama nuk ka as një të mijtën e nderit dhe të dinjitetit të kryeministrave në botë", deklaroi Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë