Politike

Basha: PS shkatërroi Vettingun duke i prerë financimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Uashington me ftesë të Institutit Hudson, ku këtë të enjte mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Instituti Hudson për marrëdhëniet transatlantike.

Në një intervistë të zgjeruar për Zërin e Amerikës, kryetari i demokratëve cek problemet e aktualitetit politik shqiptar, që nga ligji për Teatrin Kombëtar e deri tek akuzat ndaj mazhorancës për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Basha u pyet fillimisht për kontratën e re lobuese, që Partia Demokratike ka nënshkruar me një kompani në Uashington me vlerë prej 40 mijë dollarë për katër muaj. Sqaron edhe se çfarë synon ky lobim.

“Kemi kërkuar ndihmën e një kompanie, e cila është e specializuar në veçanti sa i përket krimit të organizuar, narkotikëve dhe terrorizmit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i kësaj kontrate: hartimi i një strategjie kundër krimit të organizuar dhe kundër trafikut të drogës, e cila do të bëjë pjesë në planin, programin dhe vizionin e Partisë Demokratike, së bashku me komponentin ekonomik, të cilin e kemi mbaruar tashmë me partnerët tanë gjermanë, me anë të cilave do t’u ofrojmë shqiptarëve”, thotë ai.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, fajëson plotësisht mazhorancën për ngërçin në të cilin procesi i vettingut ka futur të gjithë sistemin.

“Vetting-u po ecën me këto ritme të ngadalta pasi Partia Socialiste ka hedhur poshtë kërkesën edhe të organeve të vetting-ut, edhe të opozitës për t’u pajisur me një buxhet të mjaftueshëm dhe me burime njerëzore, në mënyrë që vetting-u të ecë më shpejt. Partia Socialiste votoi për të prerë me 40 për qind buxhetin e propozuar nga organet e vetting-ut. Tani organet e vetting-ut nuk janë në gjendje të përparojnë me ritmet e duhura, duke vënë në pikëpyetje kalendarin e reformës në drejtësi, duke shtyrë krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, shtyrje që është antikushtetuese, sepse në Kushtetutë këto dy organe duhet të ishin krijuar prej kohësh”, deklaron kryedemokrati.

Sinjalizon se PD nuk do të pranojë kurrë që të votojë ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për emërimet.

“Tani ai (Rama) po propozon të krijojë institucione jashtë kuadrit të reformës në drejtësi, të cilat të kenë fuqi që edhe pa vetting të emërojë gjyqtarë dhe prokurorë. E ka bërë këtë me prokuroren e përgjithshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, tani do t’i japë kësaj prokurore të përgjithshme dhe KLD-së kompetenca për të futur pa vetting dhe jashtë procedurave kushtetuese kandidatë në sistemin e drejtësisë”, shtoi ai.

Si rrugëzgjidhje sheh vetëm një mundësi.

“Duke u rikthyer te Kushtetuta, e cila u miratua me 140 vota. Rruga është të zhbëhen ata komponentë të futur në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca pikërisht për të vonuar krijimin e organeve të reja të drejtësisë, për të vonuar krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, duke vonuar kështu krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së, dhe duke mos ia dhënë pushtetin e reformimit të drejtësisë vet organeve të drejtësisë, por Fatmir Xhafës dhe Arta Markut, të emëruar vetëm me votat e Edi Ramës dhe rezultatin po e shohim”, u shpreh ai.

Për ligjin për Teatrin Kombëtar ripërsëriti në Uashington akuzat e ngritura më herët në Tiranë. Thotë se Edi Rama ka një plan 20-vjeçar për truallin në qendër të kryeqytetit dhe po e zbaton atë në mënyrë antikushtetuese. Flet për interesa kriminale që qëndrojnë pas këtij ligji dhe si strategji të opozitës për ta kundërshtuar zotohet se do të mbeten institucionet dhe protestat demokratike në krah të artistëve.

I pyetur në lidhje me kritikat brenda partisë, Basha thotë se një pjesë e tyre çojnë ujë në mullirin e mazhorancës.

“Ka të tjera qëndrime, që bëhen vetëm për hesap të maxhorancës. Pra, ajo tradita e vjetër e opozitës ndaj opozitës. Duhet të përfitojmë nga kritikat e shëndosha dhe nga mendimet që jepen për të forcuar rolin e opozitës dhe të Partisë Demokratike, për të shpërndarë sa më shumë vizionin tonë pro-perëndimor të një Shqipërie të çliruar nga krimi”, deklaroi ai.

Këmbënguljes së gazetarit për të përmendur burimin e informacionit për 3.4 milionë eurot e kapura në Toyota Yaris nga policia i rezistoi.

“Burimi i informacionit nuk mund të jetë subjekt i një zbulimi mediatik. Ajo që iu them është se ne kemi një bashkëpunim shumë të fortë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita ka kryer detyrën e saj”, tha Basha.

Basha ripërsëriti se nuk e njeh vëllain e personave të shpallur në kërkim si porositësit e eurove, me të cilin ka një foto të publikuar nga Taulant Balla.

“Unë kam fotografi me mijëra qytetarë. E rëndësishme është të kuptojmë dy gjëra: e para të kuptojmë hipokrizinë e pretendimit, sepse nëse ky person, që nuk e njoh, është i dyshuar, kanë kaluar më shumë se tre javë dhe ky person mund të ishte arrestuar. E dyta është standardi moral. Unë akuzohem se paskam dalë në foto me dikë, ndërkohë që informacioni im është fare i qartë: këto para janë para të drogës të një klani të fuqishëm kriminal me qendër në Elbasan dhe numri dy i Partisë Socialiste, jo një deputet çfarëdo, është garanti i marrëveshjes për kalimin e këtyre parave përmes këtij instrumenti, makinave të sjella në Tiranë”, u përgjigj Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë