Politike

Basha: Protesta për rrëzimin e Ramës, betejë jetike e PD


Këshilli Kombëtar i PD-së ka vendosur si qëndrim politik krijimin e një qeverie kalimtare me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është vendim i marrë nga ana e kësaj strukture politike, i cili duket se po do të formalizohet edhe në emër të opozitës së bashkuar.
Ndërkaq nuk përcaktohet nëse demokratët duan që më këtë kusht politik qeveria teknike të jetë për zgjedhjet lokale apo vetëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Qëndrimi i partisë më të madhe të opozitës u mor sot me dyer të mbyllura, por ai u paralajmërua disa ditë më parë. Në këtë kontekst PD-ja ka bërë të ditur se do të organizojë protestat, por që data dhe mënyra e organizimit do të jetë një vendim i Kryesisë së re të PD-së që do të dalë nga Këshilli Kombëtar.

Basha: Jetike, rrëzimi i Ramës
Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi se Partia Demokratike është e vendosur ta rrëzojë Edi Ramën dhe modelin e tij të qeverisjes e për këtë, theksoi se ka vetëm një rrugë.
“Nëse ka ndonjë pyetje që ndeshem përditë është “Kur do ta rrëzoni Ramën? Si do ta rrëzoni Ramën?” Dua të jem i qartë. Unë jam i bindur si dhe gjithsecili prej jush këtu, duam ta rrëzojmë tani. Dhe kjo mund të bëhet e të arrihet vetëm me një mënyrë, duke bërë njerëzit për vete, duke iu ngjallur atyre besimin tek ne, duke i sjellë ata rreth nesh. Sa më shumë shqiptarë të bashkohen rreth nesh, aq më shpejt do ta rrëzojmë këtë regjim, aq më shpejt do ta shporrim Edi Ramën. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama e gjejmë tek zemrat dhe mendjet e njerëzve”, tha kryedemokrati Basha në fjalën e tij.

Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar i PD-së


Për liderin e PD-së Rama ka rënë politikisht dhe se duhet të largohet menjëherë.
“Ky regjim duhet të marrë një goditje vendimtare. Është e sigurt që ky regjim ka rënë, sepse nuk përfaqëson më asgjë, vetëm një interes personal të Edi Ramës në funksion të grabitjes. Njerëzit nuk kërkojnë vetëm largimin e këtij njeriu, por të një modeli. Modelin nuk do ta shpikim, sepse është modeli i Europës. Por, së pari na pret beteja për të udhëhequr protestat popullore për të rrëzuar modelin e Edi Ramës”, vijoi ai më tej. Për këtë ai lançoi aksionin politik që do të ndërmarrë PD-ja dhe opozita për largimin e kryeministrit.
“Do të vendosim për aksionin politik dhe përballjen e madhe që do të nisim bashkë: Për ndarjen e politikës nga krimi përmes Vettingut të politikanëve; Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë Antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve; Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare; Integrimin e Shqipërisë në BE. Por së pari vjen beteja dhe përballja e madhe për demokracinë dhe shtetin ligjor duke udhëhequr protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe për ta shporrur këtë model menjëherë e mirë institucionet, nga politika, nga Shqipëria. PD do ta udhëheqë këtë beteje jetike për Shqipërinë bashkë me shqiptarët dhe do ta fitojmë këtë betejë”, theksoi Basha.


Ekipi i PD-së, emrat e drejtuesve
Propozimet për anëtarë kryesie dhe të sekretarëve të rinj, janë cilësuar si ekipi i ri i qeverisës për PD-në nëse do të vijë në pushtet. Këshilli Kombëtar vendosi të miratojë propozimin e kryedemokratit që ish-presidenti Bujar Nishani të jetë kryetari i këtij forumi të lartë. Gjithashtu janë votëbesuar dy nënkryetarët e PD-së, Edi Paloka dhe Edmond Spaho.
Ndërsa sa i përket sekretarëve të propozuar Basha ka zbuluar arsyet se pse ka lënë jashtë deputetët në grupin që do të merret me organizimin e partisë. Për t’ju përgjigjur sa më mirë sfidave dhe të objektivave te PD-së ai bëri të ditur se ka vendosur të ketë një ndarje të funksioneve të deputetëve nga sekretariati organizativ i partisë.
“Në këtë mënyrë organizimi i partisë, nuk do të jetë i ndërvarur, por do të jetë i ndërthurur me betejat legjislative dhe politike të deputetëve apo detyrimi i tyre për të qenë sa me pranë votuesve te tyre. Me kryesinë e re, ne do ti përvishemi menjëherë punës për të krijuar një alternativë të fortë qeverisëse dhe një ekip të zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alternative”, vijoi Basha.


Salianji, i pakënaqur
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji duket se është i pakënaqur nga procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për sekretarë të PD-së. “Nuk ka asnjë rëndësi për funksionet drejtuesve, unë jam kandidat për kryesinë dhe sekretar i grupit të PD. Pak rëndësi ka nëse luan pa top apo me intrigë, unë luaj me zemër. Gjithçka që flitet në publik për njerëz të pakënaqur për pozicionet nuk janë vlefshëm. Kam parë reagime në publik, që me të drejtë që në nisje të procesin kanë pakënaqësitë, por që më pas do të sheshohen”, theksoi Salianji për mediat. Por ai u shmang pyetjes se kush ishin ata që po thurnin intriga. Për reagimin e Salianjit, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka deklaroi se kandidaturat u votuan unanimisht dhe se para procesin u pyetën nëse kishin ose jo kandidatura alternative. 260 anëtarë të Këshillit Kombëtar kanë nisur më pas procesin e votimit për të propozuarit në postet e sekretarëve të PD-së, si dhe të anëtarëve të rinj të Kryesisë.

ORGANET STATUTORE:

Bujar Nishani -Kryetar i Këshillit Kombëtar

Halim Kosova- Kryetar i Komisionit të Integritetit dhe Etikës

Jemin Gjana - Kryetar i komisionit Zgjedhor në PD

Arben Ristani- Kryetar i Komisonit të Apelimit

Alfred Rushaj - Kryetar i Bordit Financiar

ANËTARË TË KRYESISE EX OFFICIO:
Kryetarja e LDGSH- Albana Vokshi
Kryetari i FRPD- Belind Këlliçi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë