Politike

Basha “pranon” ftesën e Metës: Ta zgjidhim krizën me socialistët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se vendimi për djegien e mandateve erdhi pasi opozita ishte kthyer në fasadë, duke pranuar gabimin me marrëveshjen e 17 majit 2017.

Për herë të parë, Basha pohoi se kriza aktuale mund të zgjjdhet bashkë me Partinë Socialiste, por pa Ramën kryeministër, duke pranuar në një farë mënyre ftesën për dialog të presidentit Meta mes mazhorancës e opozitës.

“Kërkesa jonë dhe vullneti ynë politik është që bashkë me Partinë Socialiste ta zgjidhim këtë krizë politike, institucionale, kushtetuese, duke bërë hapin e parë që është një qeveri e palidhur me krimin, pa Edi Ramën kryeministër, një qeveri e cila nuk i lidh duart drejtësisë për të vepruar në ato raste ku politikanët janë kapur në flagrancë. Rasti Dako është vetëm maja e ajsbergut, - nënvizoi kryeopozitari në emisionin "360 gradë". - Kjo betejë nuk është një betejë që i bashkon shqiptarët. Nuk po bëhet që të vijë në pushtet një parti apo një parti tjetër, por që të kthejmë në Shqipëri sistemin dhe vlerat evropiane për të cilën shqiptarët po ikin siç kanë ikur në vitin 1990”.

Ai tha se zgjedhjet janë asgjësuar nga mazhoranca aktuale, e cila sipas tij është kapur duke vjedhur dhe këtë do të duhet ta kuptojnë edhe ndërkombëtarët.

“Kjo është një qeveri e cila jo thjesht akuzohet, por është kapur duke vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin e organizuar, me Dakon, me Gjiknurin, me Tahirin. Janë tre figura dhe ka të tjera në ato qindra faqe të patranskriptuara të dosjeve, siç është dosja 339 apo dosja 184, të Drejtësisë Shqiptare”.

Kreu i PD shpjegoi se dorëzimi i mandateve ishte një zgjedhje e sforcuar, pasi janë prishur standartet demokratike.

“Pra, në kuptimin politik të fjalës, zgjidhja që ne kemi bërë, sakrifica që kemi bërë, dorëzimi i mandateve, në thelb është t’ia kthejmë prapë popullit vendimmarrjen, sepse sot vendimmarrja nuk është në duart e popullit, por është në duart e një bashkimi interesash të një grushti politikanësh dhe një grushti kriminelësh, - vijoi Basha. - Akti i djegies së mandateve do të thotë që ne përfundimisht e kemi braktisur regjimin e Ramës”.

Basha refuzoi të pranojë një marrëveshje tjetër me Ramën si në vitin 2017 para zgjedhjeve parlamentare.

“Ky akt përjashton çdo përsëritje të skenarit të vitit 2017, ku ne zgjodhëm të shmangnim përplasjen civile mes shqiptarëve dhe të jepnin një shans tjetër mundësisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot pothuajse dy vjet pas asaj marrëveshje është e qartë që ne kishim të drejtë, marrëveshja nuk funksionoi, përgjimet tregojnë qarët se Edi Rama e përdori marrëveshjen si një mbulesë poshtë së cilës ai me Avdylajt, me Shullazët dhe me Bajrat dhe me gjithë grupet e tjera të krimit të organizuar vodhën votën e qytetarëve, solli një parlament të diktuar nga vota e krimit dhe me këtë parlament ditë për ditë, me këtë parlament dhe me këtë qeveri marrin vendime kundër interesave të shqiptarëve. Çfarë po kërkojmë ne?! Ne po kërkojmë të rikthejmë Shqipërinë tek vlerat europiane, të kthejmë Shqipërinë tek shpresa. Si bëhet kjo?! Në radhë të parë duke rikthyer demokracinë, zgjedhje të lira dh etë ndershme. Kush mund ta bëjë këtë?! Vetëm qytetarët. Kërkesa jonë është fare e thjeshtë: Të kthejmë legjitimitetin politik, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe hapi që kemi hedhur përjashton çdo mundësi për një përsëritje të 2017-ës. Këto janë vendime”.

I bindur se linja e ndjekur nga opozita do të funksionojë, kryedemokrati theksoi se tre gjëra janë të sigurta në këtë situatë politike që ka përmbysur çdo parashikim.

“Se regjimi i Ramës ka mbaruar. Ai është një kufomë politike e pakallur; se do të ketë zgjedhje të parakohshme në vend; e beteja jonë nuk është betejë për pushtet, për të favorizuar një parti, për të mposhtur një sistem që ë vodhi votën, paratë dhe të nesërmen, - shtoi Basha. - Duhet që personat me pushtet, të kapur duke vjedhur votat të shkojnë para drejtësisë, të bëhen shembull. Pa siguruar këtë, asgjë tjetër nuk mund të ketë. Çdo situatë me Ramën në krye të qeverisë është e paqëndrueshme, nuk zgjidh asgjë. Largimi i tij është vetëm çështje kohe”, - tha mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë