Lajme

Basha: Po shkojmë në grusht shteti. Rama, teatër me shkarkimin e Metës

Pak pasi kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në Kuvend në mocionin me debat për dekretin e presidentit, kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë në një konferencë me gazetarë, duke bërë një analizë të gjatë për situatën ku ndodhet vendi.
Kreydemokrati Basha e nisi fjalën e tij duke thënë se gjendja është shumë e rëndë dhe se Shqipëria po shkon drejt grushtit të shtetit.
“Këtë bashkëbisedim, po e organizojmë në kushte të jashtëzakonshme, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt situatës së grushtit të shtetit, të organizuar nga mafia e drogës në bashkëpunim me Edi Ramën dhe kupolën e tij tashmë të faktuar të ardhur në pushtet jo përmes votës së qytetarëve por përmes ndihmës së pikërisht narkomafias.
Në këto kushte kur tashmë nuk ka asnjë iluzion, asnjë pikë dyshimi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u diktuan nga krimi i organizuar, nga paratë e pista të drogës, nga kërcënimi masiv dhe shantazhimi masiv i votuesve dhe përkrahësve të opozitës, nga shitblerja masive e votës, nga rrjetet kriminale të drogës, nga Avdylët, në Shijak, tek Shullazët në Tiranë, nga Bajrat në Shkodër, tek Habiljat, tek Xhafajt në Vlorë, nga Sanxhaktarët dhe Çelët në Elbasan, tek bandat e Çobejve dhe Rragamit në Korçë. Ku anembanë Shqipërisë rrjetet kriminale të vlerësuara si të tilla nga raporti i DASH mbi luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të patave të pista këto rrjetet kriminale dy vite më parë përmes një skeme të mirëmenduar, të mirëplanikuar dhe te ekzekutuar në terren me urdhër të Edi Ramës dhe kupolës socialiste asgjësuan procesin politike të vitit 2017”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se prokuroria ka fjetur me dosjet 339 dhe 184, duke bërë që të mbizotërojë krimi në Shqipëri. Basha u shpreh se banda e Ramës nuk nis në 2107 por që në 2013 kur ishte në Bashki të Tiranës.
“2013 është gjeneza e bashkëpunimit të Edi Ramës me krimin e organizuar që shumëkush e ka harruar. Pra, lidhjen me krimin e nisi që kur ishte në bashki të Tiranës. Në këtë pazar të ethshëm këto 11 vite kanë shërbyer që të nisë kriminalizimin e gjithë vendit dhe në të gjithë sektorët.
Kjo pra është historia e një njeriu që e lidhi fatin e tij politik me krimin e organizuar, me ta erdhi në pushtet, me ta dhe për ta e mban pushtetin”, u shpreh ndëtr të tjera Basha.
Basha u ndal në vendimin e fundit të Holandës për Shqipërinë për hapjen e negociatave, duke theksuar se është ky vendim që hedh poshtë propagandën e Ramës.
“Mbretëria e Holandës ka cituar qartësisht arsyet pse refuzon hapjen e negociatave me Shqipërinë, pasi mungon lufta kundër krimit të organizuar.
Pra nuk kemi rezultate kundër krimit”, tha Basha.
Kryedemokrati Basha tha se bandat e Ramës janë diktuar edhe në institucionet shtetërore.
“Pas ardhjes në pushtet me anë të krimit, duke futur në parti njerëz kriminelë, pushteti i Edi Ramës u bë njësh me krimin.
Kriminelët më të lirë bredhin të lirë, as nuk dënohen por nderohen, mbrohen, letrat e Interpolit zhduken sepse këta njerëz janë ortakët e Ramës.
Bandat diktuan edhe emërimet në institucionet shtetërore. Në 2016-n Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi i kanabisit në Europë. Shqipëria sot nuk prodhon asgjë, kriza po shkatërron bizneset. Në këtë vend të vogël është asgjësuar të vetmit që çajnë janë një grusht kriminelësh. Tre vjet më vonë Saimir Tahiri i ekspozuar si kreu i drogës është akoma i lirë”, theksoi Basha.
Lideri i PD-së nuk la pa përmendur as përgjimet e prestigjiozes gjermane Bild, lidhur me përgjimet që sipas tij habitën çdokënd.

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët, Basha deklaroi se mocioni i sotëm në Kuvend dhe rezoluta për shkarkimin e Presidentit nuk janë gjë tjetër veçse një teatër i qeverisë për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet që i kanë plasur.
“Edi Rama kërkon të shfokusojë vëmendjen e opinionit publik për situatën e krijuar prej tij. Mos kini asnjë iluzion se farsa e sotme përfundoi në rezolutë dhe po konsumon orët e pasdites për t’u shndërruar në një pendim të Edi Ramës, nuk është gjë tjetër, veçse teatër i Edi Ramës, sepse e ka nevojë jetike që t’ju largojë vëmendjen nga kjo situatë e krijuar prej tij.
Ka nevojë ta largojë vëmendjen nga fakti që është kapur duke vjedhur votat, pasuritë tuaja publike, për t’ia dhënë një grushti njerëzisht që ka ardhur në pushtet”, tha ndër të tjera Basha.

 

Më Shumë