Në prezantimin e programit për Bujqësinë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, premtoi 100 mln Euro në vit për fermerët shqiptarë dhe 50 mln Euro të tjera çdo vit për infrastrukturën bujqësore.
Sipas tij, asnjë fermer, bujk apo blegtor, nuk do të mbetet pa mbështetje, duke filluar me zhbërjen e burokracive.
“I vetmi dokument me të cilin fermeri do të paraqitet për të përfituar mbështetje financiare, do të jetë karta e identitetit, numri unik i të cilës do të shërbejë edhe si NIPT-i i fermerit.
Taksa e tokës do të zerohet për të gjithë fermerët që e punojnë tokën e tyre.
Unë angazhohem për aksesin e plotë e të lirë në tregje, çmontim monopoleve të tregjeve dhe heqjen e çdo pengese që fermeri të arrijë ta çojë prodhimin në treg.
Pa gjoba dhe pengesa të shpikura për t’ju rrjepur qindarkën e fundit.
Do të fuqizojmë aksesin në tregjet e huaja, duke ngritur Agjencinë e Promovimit të Eksporteve Shqiptare. Asnjë kilogram prodhim i pashitur, i dëmtuar, apo i hedhur nga fermerët.
Mbështetje e fermerëve për promovimin, marketingun, identifikimi i tregjeve dhe kërkesave për eksport, mbështetja për implementimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë, do të garantojnë tregun për çdo prodhues dhe çdo përpunues vendas”, tha ai.
Basha premtoi gjithashtu, “mbështetje me para në dorë për çdo dynym tokë të kultivuar dhe krerë në blegtori”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.