Politike

Basha: Berisha po e shndërron PD në një bunker antiamerikan për interesin e tij 

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është diskutuar edhe mbi çështjen e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi i PD-së. Ka qenë deputetja Flutura Açka e cila ka hapur diskutimin për këtë çështje, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjes së shumë demokratëve; nëse është me Berishën apo me Bashën. Sipas saj PD duhet t’ i kthehet ndryshimit.

“Më pyesin në takime demokratët, a je me Bashen apo Berishën? A duhet të rikthehet “berishizmi në PD? Unë mendoj se PD duhet t’ i kthehet ndryshimit”, tha Açka, e cila hasi në reagimin e deputetes Albana Vokshi e cila shtoi se: “Nuk e vendosim ne në këtë forum nëse berishizmi kthehet apo jo, nuk e vendosim ne këtë. Por është baza ajo që vendos!”.

Pas kësaj ka reaguar kreu demokrat Lulzim Basha i përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të hedhë në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Ai theksoi se nuk do të lejojë akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokraitke nga SHBA.

“Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokraitke nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve”.

Basha tha se ish-kryeministri Berisha kërkon ta lidhë vendimin e DASH për shpalljen e tij “non grata” me fatin e Partisë Demokratike.

“Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për transparencë e drejtësi. Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non grata me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non grata. Nga ana tjetër po  kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës  që është marrë në respekt të vendimit të SHBA. A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij.  Kjo është pa asnjë përspektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë“, mësohet të ketë thënë Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë