Lajme

Basha: Qeveria tranzitore arreston politikanët që kanë vjedhur votat

Një ditë pasi opozita vendosi djegien e mandateve, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim Bujar Nishanin, i cili mban postin e kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së. Takimi u zhvillua në selinë e Partisë Demokratike, ku temë e diskutimit ka qenë pikërisht djegia e mandateve parlamentare.
Në një prononcim për gazetarët pas takimit me Nishanin, kryedemokrati Basha tha se nuk ka kthim prapa në vendimin për djegien e mandateve. Basha tha se opozita do të jetë në krah të shqiptarëve.
“Nuk ka lëvizje më pro Europës dhe integrimit në Europë sesa kjo që ka vendosur PD dhe opozita. Nuk ka kthim prapa, nuk është vetëm djegie mandatesh, nuk do ketë më parlament fasadë. Ata mund të mblidhen mund të marrin vendime kundër shqiptarëve, shqiptarët do t’u përgjigjen dhe ne do jemi në krah të tyre, që ditën e enjte”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati Basha shpjegon edhe qeverinë tranzitore.
“E para dorëheqje e Edi Ramës dhe hetimi i tij. Qeveria tranzitore detyrë të parë dhe kryesore do të ketë të arrestojë politikanë të kapur në vjedhje votash. Qeveria duhet të mundësojë që mos ketë asnjë ndërhyrje politike, si ajo që bëri Rama për të mbrojtur Vangjush Dakon”, tha ndër të tjera Basha.
Mesditën e djeshme, Basha në një deklaratë për mediat bëri me dije se pas takimit me grupin parlamentar të PD-së, ishte vendosur unanimisht për djegien e mandateve.
Pas këtij vendimi edhe partitë e tjera opozitare i dolën në krah Bashës, ndërsa e fundit që iu bashkua ishte LSI. Do të jetë kryedemokrati Lulzim Basha, që do të thërrasë mbledhjen e Kryesisë dhe më pas të Këshillit Kombëtar për të konkretizuar djegien e mandateve të deputetëve të PD-së. Vendimi përfundimtar i mandateve do të jepet nga Këshilli Kombëtar i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë