Politike

Basha: Të kapur nga krimi! Lleshaj: Le 4 të vdekur në 21 janar

Bledar Hoti - Parlamenti ka nisur me një përplasje të fortë mes mazhorancës dhe opozitës. Fyerjet, sharjet, epitetet e ndryshme dhe ngjarja e Kavajës mbizotëruan në seancën e sotme. Që në nisje, kryedemokrati Lulzim Basha bëri thirrje për të zgjidhur krizën politike që sipas tij mbizotëron, duke krijuar një qeveri tranzitore dhe më pas çuarjen e vendin drejt zgjedhjeve parlamentare të parakohshme. Ky ishte apeli i parafundit që Basha përmendi, pasi sipas tij, “socialistët kanë afat deri më 15 shkurt për të zgjidhur krizën politike, përndryshe populli mund të marrë në dorë fatet e veta”.

“Është një Parlament kukull i kapur nga krimi. Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm ekonomike dhe sociale. Janë të gjitha simptomat e një krize totale që ka mbërthyer vendin. Zgjidhja është zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore. Ne shteruam çdo alternativë politike. As Shqipëria dhe as Europa nuk do t’ju lërë ta vazhdoni këtë maskaradë. Në qershor nuk do të ketë hapje të negociatave, disa prej jush në takimet e fundit e morët mesazhin nga Berlini. Faji është vetëm i kryeministrit. Thirrini mendjes, dëgjoni edhe socialistët e ndershëm… jepini rrugë politike, sepse përndryshe prej 16 shkurtit qytetarët do ta marrin fatin në duar dhe do ta spastrojnë këtë sallë nga njerëzit e krimit që e kanë vendin prapa hekurave të drejtësisë”, u shpreh Basha.
Qëndrimi i kryedemokratit u pasua me një reagim të ashpër nga ana e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili i kujtoi liderit të PD-së ngjarjen e 21 janarit.
“Zoti Basha ju falënderoj që me dhatë mundësinë përmes gishtit tregues që e tregoni si një lloj pistolete butaforike t’ju përgjigjem, mos u mundo ta tregosh kurrë ndaj meje. Përpjekje e dështuar dhe butaforike e juaj, nuk mund ta nxini as Shqipërinë dhe as Ministrinë e Brendshme, kurrë nuk do të arrini që të më shihni në pozicionin që keni qenë ju në 2011, kurrë nuk do të arrini, sa herë që ta drejtoni gishtin kundër meje. Nuk do arrish kurrë të më shohësh si ty në 2011, që le 4 viktima në bulevard. Sa herë të tregosh gishtin butaforik drejt meje, kujto historinë: ke 4 të vrarë, mbi 100 të plagosur, 4000 në tentativë për t’i vrarë se u lëshove plumbat mbi kokë, mendohu mirë”, deklaroi Lleshaj.

Ministri Lleshaj duke folur në Parlament. Foto LSA

Por kryedemokrati iu kundërpërgjigj duke theksuar se nuk mund të krahasohen rekordet e tij me atë të Lleshajt.
“Ka një shprehje të njohur për shqiptarët “kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin”. Duhet të pyesësh Ramën pse i promovoi ata që akuzohet se shtinë mbi ata që sollët për t’i vrarë. Këto janë çështje që socialistët i dinë fare mirë. Ty të duhet pak kohë për të mësuar tezat bajate. Je fatkeq se kur të tjerët janë zbythur duke treguar këto gënjeshtra, ti je i fundit dhe kujton se po tregon gjëra të reja. Je dy herë fatkeq sepse kur unë punova dhe plotësova 150 kritere ndaj luftës ndaj krimit të organizuar dhe arrita të plotësimin e lëvizjes së lirë në Schengen, ju e kishit mendjen si të krijonin alibitë për Edi Ramën dhe për pengesat që ai i vuri Shqipërisë për vizat, por pa sukses. Ku e ka katandisur sot Shqipërinë shefi yt dhe propaganda juaj, nuk të ndihmon dot. Delja e zezë e Evropës dhe Kolumbia e Evropës, ky është rekordi i Ministrisë së Brendshme”, theksoi Basha.

Përplasja për Kavajën mes Lleshajt dhe Berishës
Në seancë pati edhe një përplasje në lidhje me ngjarjen e Kavajës, rastin e rëndë të përdhunimit të një 14-vjeçareje. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi policinë se ka fshehur krimin e rëndë në Kavajë. “Qytetarë, sot keni para jush mazhorancën përdhunuese, për një krim të shëmtuar në Kavajë. Policia ishte në anën e përdhunuesv. Kryeministri ishte në anën e përdhunuesve, vasalët e tij kriminalë e fshehën krimin. Këta përdhunues, që përsëritën katër muaj me djalin e deputetit të tyre, kur një i sëmurë me AIDS akuzoi kryetarin e grupit parlamentar për përdhunimin. Nëse ju qytetarë nuk do të kërreheni nuk do t’i keni të sigurtë fëmijët në shkolla. Sa i përket Shalsit, e kam këtu videon ku thotë se ne do të vjedhim kur të jemi në pushtet, por me lezet”, deklaroi Berisha.
Këtyre akuzave iu kundërpërgjigj ministri Lleshaj, duke deklaruar se policia ka vepruar menjëherë për ngjarjen e Kavajës.

Ish-kryeministri Sali Berisha sot në Parlament

“Protestoni kundër faktit, por dëgjojeni. Policia ka reaguar ndaj denoncimit të familjarëve dhe ka referuar çështjen në Prokurori. Të gjitha akuzat e ngritura ndaj policisë janë të dëmshme dhe dashakeqe. Publikimi në rrjetet sociale ka ndodhur pasi shtetasit janë arrestuar, para se keni bërë atë palo status. T’ju vijë turp që gënjeni Shqipërinë. Kriminel s’më thonë dot, i kam duart e bardha dhe jo të skuqura. Policia e shtetit i ka arrestuar përdhunuesit para se lajmi të bëhet publik”, u shpreh Lleshaj.

Kryemadhi: Ministrja Gjonaj po shantazhon gjyqtarë e prokurorë

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi akuzoi ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj se po shantazhon gjyqtarë e prokurorë për të arrestuar punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë. “Unë nuk e kam sulmuar se është kushërira e një lidhjeje familjare të Metës, por i bëj me dije se nuk ka asnjë mënyrë që mund ta mbrojë Ministren e Drejtësisë, duke shantazhuar punonjësit e saj, se ajo e di shumë mirë se korrupsionin e ka brenda në familje. Tregoju shqiptarëve, pse është pushuar burri i saj nga Tatimet, lidhjet me Elvis Martinaj apo pika të tjera të basteve dhe cila është lidhja e saj me pjesëtarë të qeverisë, apo me avokatët e saj që ka në Kosovë. I them Etilda Gjonajt të jetë e kujdesshme në telefona apo mesazhet që u çon gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Kryemadhi. Ajo deklaroi se ministret nuk kanë arsimin e duhur për të qenë pjesë e qeverisë, duke përfshirë ministren e re të Arsimit dhe atë të Marrëdhënieve me Parlamentin.

Monika Kryemadhi, foto LSA


Ndërsa ministrja Spiropali dënoi sulmet që po u bëhen ministreve dhe gjuhën vulgare që po përdorej në seancë. “Në seancën e parë u ngrit kryetari i opozitës, i quajti kukulla se janë gra, e një kopac i vënë në atë pozicion nga ky njeri që flet këtu me gjuhën e shthurur, një kopac pa asnjë meritë, kontribut, që po merr më qafë opozitën e shqiptarëve, përdor gjuhë seksiste dhe ofenduese ndaj grave ministre që kanë më shumë dinjitet dhe punë se ata që ai ka futur në partinë e vet, që anëtar të Kryesisë e bëri atë kokëvezën që goditi me vezë”, theksoi Spiropali.
Ndërsa për akuzat e shkollimit, ministrja u shpreh: “Në 1999 unë jam larguar nga Shqipëria dhe zonja Malaj që ka qenë nëndrejtoresha e “Qemal Stafës” mund t’ua thotë se kam qenë një ndër 5 gjimnazistet më të mira në vend, që fitoi bursë në kolegjet e SHBA. Në atë kohë ju ishit duke vjedhur votat e FRESSH dhe duke u marrë me Shqipërinë. Ju shkatërruat sistemin edhe brenda PS, edhe si funksiononte administrata; dhe këtë e dëshmojnë edhe kolegët. Nuk keni asnjë bazë krahasimi me ne”.

Ministrja Elisa Spiropali duke folur në Parlament/ Foto LSA


Kryetarja e LSI-së në replikën e saj deklaroi: “Andronika që ka qejf të rrijë me Skënderbeun, mos e përmendë PS-në se nuk e njeh fare. Por ngaqë nuk ka më socialistë, del ti. Kur kam qenë unë në PS, ka qenë komplet tjetër, pavarësisht se ku jemi sot unë, Ruçi, Musa Ulqini apo edhe Braçe. Ka qenë tjetër kohë. E ardhmja bëhet duke kuptuar gabimet e së kaluarës. Nëse ju nuk kuptoni kurrë, nuk duhet të jeni aty ku duhet të shkoni. E nise si revolucionare politikën por do të hiqesh si borgjeze, por borgjeze nuk të bëjnë paratë, por shpirti, mendja dhe dija”.
Ndërsa kryedemokrati Basha e ka cilësuar Spiropalin si një model të “Nafijes” që i bën qejfin Skënderbeut të saj (Ramës), e cila “ka kryer korrupsion në dogana dhe krenohet se ka bërë 5 milionë euro dhe që vetëm në këtë mënyrë arriti karrierë politike dhe është në krah të kryeministrit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë