Politike

Kreu i PD ngriti grup pune për zgjedhjet e reja të FRPD, por kush e ka kompetencën dhe si veproi Basha në vitin 2015

Kur Belind Këlliçi me mandat të përfunduar si kryetar i FRPD vendosi t’i bashkohet Foltores së Berishës ditën e dielë, Kryetari PD Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune për drejtuesin e ri të FRPD, me argumentin se mandati shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Dhe këtu bën pjesë edhe Këlliçi i cili aktualisht është 34 vjeç dhe për shkak të moshës nuk mund të kandidojë për një mandat tjetër. Sipas statutit, anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.

Përpos debatit politik, mes tyre ka lindur edhe një debat  proçedurial. Kush ka të drejtë që të inicojë procesin e zgjedhjes së strukturave të reja të FRPD?

Partia Demokratike me statut njeh dy organizata partnere: a) Forumin Rinor të Partisë Demokratike (FRPD); b) Lidhjen Demokratike të Gruas (LDG).

Secila prej tyre ka statutin e saj dhe funksionon në bazë të strukturave të brendshme të saj.

Pas vendimit të Lulzim Bashës për të ngritur grupin e punës për zgjedhjet e reja në FRPD, kryesia e këtij forumi e mbledhur të shtunën në mbrëmje nën drejtimin e Belind Këlliçit ka radhitur një sërë nenesh të statutit (të FRPD dhe jo PD), me argumentin se këtë kompetence nuk e ka kryetari i PD-së por kryesia e FRPD dhe Sekretari i Përgjithshëm i këtij forumi. Këlliçi tha për mediat se urdhri i ngritur nga Basha është nul dhe nuk ka efekt juridik mbni FRPD

Në një nga nenet e statutit të FRPD që funksionon veçantë nga ai i PD-së thuhet se, modalitetet për zgjedhjen e kryetarit të ri të FRPD përcaktohen me vendim kryesie të këtij forumi. Kryetari i FRPD ndjek të gjithë procesin dhe drejton zgjedhjet në të gjitha strukturat e procesit. Nenet janë radhitur edhe në mbledhjen e kryesisë së mbajtur të shtunën në mbrëmje me kryetar Belind Këlliçin

Foto nga vendimi i kryresise se FRPD zhvilluar te shtunen ne PD

Që në fillim të statutit, përcaktohet se FRPD është një organizate politike shoqërore e të rinjve me prirje politike te qendrës dhe qendrës së djathtë që në partneritet me PD-në mundëson pjesëmarrjen aktive në jetën politike të vendit.

Për detyrat e veçanta që kanë forumet mbështetëse të PD-së ka folur edhe deputetja PD-së, Albana Vokshi e cila drejton një tjetër organizate partnere të PD-së, LDGSH.

“Partia Demokratike ka nevojë për demokraci, jo arbitraritet! Statuti i Partisë është i qartë: vendim-marrja e brendshme nuk lihet në një dorë. Përkundrazi, ajo është e shpërndarë mes një sërë organesh dhe drejtuesve të ndryshëm.

Organizatat Partnere të Partisë Demokratike, LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të Statutit të tyre. Askush, as Kryetari i PD, nuk ju merr dot vendimmarrjen.

Asnjë organ,  asnjë funksionar nuk mund të uzurpojë pushtetin që statuti ja njeh një forumi, organi apo funksionari tjetër.

Veçanërisht në situata  debati apo përplasjesh të brendshme, inati,  hakmarrja, intrigat nuk duhet të  prevalojnë ndaj statutit.

Përkundër, Statuti është vendimtar dhe mbi të gjitha çështjet e mbi te gjithë.

Pas 31 vjetësh, çdo demokrat është në mision, për t’u bashkuar për të ringritur partinë nëpërmjet fuqizimit të anëtarësisë, forcimit të demokracisë të brendshme, respektimit të  fjalës dhe mendimit të lirë” shprehet Vokshi.

Por Partia Demokratike jo zyrtarisht përcolli për mediat një urdhër të Lulzim Bashës firmosur në 2015 vit kur u bën zgjedhjet për kreun e FRPD, proces që e fitoi Belind Këlliçi.

Një urdhër i Bashës tregon se, njësoj si urdhri i dytë, edhe në tetor 2015, procesin zgjedhor për FRPD e ka shpallur Kryetari i PD, lidhur me nisjen e procesit të riorganizimit të FRPD, duke filluar me anëtarësimet e reja e deri tek zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe strukturat e FRPD-së.

Edhe atë kohë, Basha ngriti një grup pune kryesuar nga Gerti Bogdani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë