Lajme

Basha: Në Shqipëri, grusht shteti jo nga ushtarakët, por nga kriminelët

Kreu i PD-së, Lulëzim Basha, e ka vazhduar turin e takimeve me qytetarët në Miriditë, ku sërish ka apeluar për ngritjen e vendit në protestë masive më 16 shkurt. Basha ka sulmuar qeverinë, duke e quajtur atë që po ndodh me Shqipërinë si një grusht shteti, jo të ushtarakëve, por të kriminelëve.

“Kudo në Shqipëri shoh vendosmëri për të mos pranuar më poshtërimin dhe vjedhjen, vendosmëri për të marrë në dorë fatet tuaja dhe për të mos ia lënë atë në dorë krimit e oligarkëve, që e kanë marrë peng Shqipërinë. Ky sistem i kalbur ka marrë peng bukën e fëmijëve tuaj, paratë me të cilat mund të hapen vende pune, ka marrë peng të drejtat e shqiptarëve, sistemin shëndetësor e arsimor. Ky është grusht shteti, jo nga ushtarakët, por nga kriminelët”, - tha kryetari i PD-së.

Por, sipas Bashës, në Shqipëri ka shpresë dhe ajo vjen nga opozita aktuale. “Në Shqipëri ka shpresë se, të gjithë bashkë, mund ta zgjidhim problemin që po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi, po i varfëron çdo ditë, duke e grabitur shumicën për të pasuruar pakicën, e cila qeveris me Edi Ramën. E vetmja alternativë për të zhvilluar vendin është alternativa europiane e PD-së, ku objektivi numër 1 është hapja e vendeve të punës me paga dhe kushte dinjitoze. Kjo është plotësisht e mundur, kur të ndërtojmë një qeveri që u shërben njerëzve”.

Gjatë takimit Basha solli në vëmendje përgjimet e publikuara nga “Zëri i Amerikës" për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. “Zëri i Amerikës tregoi se nuk kemi një qeveri të zgjedhur nga vota, por kemi një kryeministër të përcaktuar nga paratë e drogës, që mbron nga drejtësia politikanët e kapur në përgjime se kanë blerë vota me krimin dhe që nuk i hap rrugë një zgjidhjeje politike. Procesi politik ka mbaruar. Zgjedhjet janë asgjësuar nga një grup kriminelësh, të cilët nuk ballafaqohen me drejtësinë. Më 16 shkurt ju ftoj t’i japim fund këtij grushti shteti, ta shembim këtë sistem të kalbur dhe të ndërtojmë një qeveri në shërbim të qytetarëve”.

Gjithashtu, Basha ka bërë disa premtime, mes të cilëve heqjen e taksës “Rama”, siç e quan ai. “Një qeveri e PD-së do të ulë taksat, do të eliminojë taksën “Rama” mbi karburantet, do të bëjë të mundur një klimë miqësore për biznesin, sepse objektivi ynë numër një është punësimi i qytetarëve. Për të arritur këtë na duhet një qeveri tranzitore, që të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Tani është në dorën tuaj. Më 16 shkurt zëri i vetëm dhe verdikti i vetëm që do të dëgjohet nuk do të jenë fjalimet e politikanëve, zëri i vetëm që do të buçasë, vendimi i vetëm që do të merret dhe do të zbatohet do të jetë vendimi i popullit të bashkuar”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë