Një ditë pas takimit të aleatëve në Durrës, kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur takimin me bazën, duke e nisur pikërisht nga Shkodra, qyteti ku tashmë është fokusuar edhe betejën e opozitës për dekriminalzimin, pas denoncimit të realizuar për dy kryebashkiakët e Shkodrës dhe Vaut të Dejës, Valdrin Pjetri dhe Mark Babani.
Kryedemokrati është pritur nga kryebashkiakja Voltana Ademi, si dhe nga një grup i madh mbështetësish dhe ish-deputetë të PD-së. Për mediat Basha u shpreh se qëllimi i këtij takimi ishte angazhimi i strukturave demokrate dhe mbi të gjitha prezantimi i platformës së opozitës për zgjidhjen e krizës, që sipas tij duhet të synojë shkëputjen e politikës nga krimi.

“Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe ajo mund të zgjidhet duke e ndarë atë nga krimi. Proces zgjedhor pa garancinë se qytetarët nuk do të dhunohen, pa një transformim të thellë, nuk mund të ketë. Do të vazhdojmë betejën deri në fund për të çliruar Shqipërinë nga politika e lidhur me krimin. Ky është qëllim që bashkon gjithë shqiptarët e ndershëm. As Rama e as organizata e tij kriminale nuk kanë as përgjigje dhe as zgjidhje për Valdrin Pjetrin, Kajmakun, apo Babanin. Rruga e zgjidhjes së kësaj krize të jetë sa më e mundshme dhe e shkurtër. Kjo situatë e mundimshme ekonomike që është produkt i krizës ekonomike nuk mund të zgjasë dhe triumfi mbi të keqen nuk do të vonojë. Shkodra ka qenë dhe është simbol i pathyeshmërisë para të keqes”, deklaroi lideri i PD-së.
Por si do të vijë kjo zgjidhje e krizës që po kërkohet nga opozita? “S’ka zgjidhje nga jashtë. Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimë apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona”, tha Basha më tej.

Për herë të parë kryedemokrati ka qenë më i zbutur në qëndrimet kundër Ramës, duke mos u shprehur se duhet të largohet nga qeveria. Madje pyetjeve të gazetarëve se nëse ka ndonjë dialog me kryeministrin për krizën, Basha iu përgjigj me shprehjen “hiqni dorë nga propaganda qeveritare”.
Gjithashtu ai nuk përmendi faktin nëse do të ketë protesta të ardhshme si aksion i radhës i opozitës. “Opozita ka pushtet, pushtetin moral. Nëse pushtetin e definonin si pushtetin e Tom Doshit, ky është pushteti i antivlerave. Shpresën e shikoj tek vendosmëria dhe qëndresa e shkodranëve. Është e lehtë të rrish në pushtet me para të pista, por është akoma më mirë të qëndrosh ashtu si bëri Shkodra”, iu përgjigj Basha pyetjes se tashmë opozita ka humbur të gjitha pushtetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.