Politike

Basha në Shkodër: S’ka fitore pa heronj! Jemi gati të sakrifikojmë

I sapo kthyer nga Londra, kryedemokrati Basha ishte në një aktivitet në Shkodër, në ceremoninë e inagurimit të Memorialit të viktimave të regjimit komunist.

Në fjalën e tij, Lulzim Basha tha se përballë domosdoshmërisë për të mbrojtur demokracinë, janë gati të sakrifikojnë gjithçka.

“Nuk ka fitore të vlerave pa heronj, nuk ka fitore të vlerave pa sakrificë sublime. Pema e lirisë vaditet nga gjaku i patriotëve dhe i tiranëve. Kjo thënie e famshme e Taomas Xherferson, një prej baballarëve themelues të Shteteve të Bashkuara, më shkon sot në mendje teksa përgatitemi nën frymëzimin e heronjve që diktatura i donte të harruar por që sot janë më të gjallë se kurrë në këtë monumentet, në këtë simfoni të sotme kujtese, nën frymëzimin e tyre pra, teksa përgatitemi për çdo sakrificë për çdo çmim për të mbrojtur demokracinë, lirinë, dhe kurrë më për të mos lënë një tjetër tirani të vesit të dhunojë Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.

Ai rezervoi edhe një ndjesë për atë që nuk është bërë si dhe sa duhet me të përndjekurit.

“Jam  këtu me vetëdijen e plotë të peshës dhe përgjegjësisë që kam unë dhe partia ime. I vetëdijshëm  që gjithçka që është arritur në raport me borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes kombëtare, morale, ndaj të përndjekurve politikë, familjarëve dhe pasardhësve të tyre, është meritë e PD-së dhe gjithçka që nuk është arritur, është përgjegjësi e Partisë Demokratike. Nuk mund ta kërkoni dhe as nuk dua ta kërkoni askund tjetër. Përgjegjësia është e jona. Ndjesa e thellë për gjithçka që nuk është arritur, është e jona”, tha Basha.

Kryedemokrati shtoi se beteja me të keqen, siç e cilësoi ai, është e vetmja mënyrë për të mposhtur modelin e ideologjisë vrastare komuniste. “Sepse vetëm kështu, mund ta mundim këtë model që është i njëjtë, vetëm se jo i veshur me petkun e ideologjisë vrastare komuniste, është petku i vlerësimit dhe ngritjes së hiçit, të servilit, hajnit, njeriut që përbuz familje, përbuz thesarin e paçmueshëm që çmojnë ata që luftojnë për një jetë të ndershme. Këtë betejë mund ta fitojmë në afatgjatë vetëm nëse vendosin hierarkinë  e vlerave mbi vesin”, thotë kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë