Politike

Basha në Lezhë: Merrni në dorë fatin tuaj si në vitin ’90

Turi i kryedemokratit Lulzim Basha për sensibilizimin ndaj qytetarëve për të protestuar më 16 shkurt në Tiranë u ndal në qytetin e Lezhës. Kreu i PD-së ka pasur disa takime me dhjetëra e qindra qytetarë.

Në bashkëbisedime me qytetarë apo dhe me pronarë apo punonjës së të disa dyqaneve kryedemokrati shpalli qëndrimin e tij se ditën e parë kur shqiptarët të besojnë me votë PD, do të ulin energjinë deri në 40%

“Edi Rama premtoi se do të ulë energjinë. Energjia është rritur 100%. Ne kemi një plan për të ulur çmimin e energjisë mes 30%-40% edhe për biznesin që prodhohen, edhe për konsumatorin. Fasha nën 300KË do të ketë ulje, familjet me ndihmë ekonomike, 200KË e parë do t’i kenë të paguara nga shteti. Sepse energjia prodhohet me kosto minimale. Këtë vit OSSH ka dalë me fitim 100 milionë Euro. 4 milionë e gjysmë i kanë futur në xhep brenda ditës. Kësaj duhet t’i japim fund. Që paratë të shkojnë subvencionim për shqiptarët që nuk kanë mundësi ta paguajnë. Për të ulur çmimin për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët me ndihmë ekonomike. Ne kemi planin për këtë të llogaritur me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe gjermanë. Jemi të gatshëm ta vëmë në jetë që ditën e parë që shqiptarët të na besojnë me votë”, deklaroi Basha.

Teksa takoi biznesin e vogël në Lezhë kryedemokrati iu rikujtoi se me të ardhur në pushtet, i gjithë biznesi i vogël me nën 140 milionë lek të vjetra në vit do të përjashtohet nga TVSH, taksa do të jetë 0.5% e xhiros vjetore me një pullë të vendosur këtu në vitrinë.

“Sot që flasim 50 biznese të vogla do të mbyllin qepenat për të mos i hapur më. Dhe kjo ndodh çdo ditë. Kjo është e papranueshme. Familjarët po humbin bukën e gojës dhe punën. Qeveria nuk ka në vëmendje papunësinë e shqiptarëve. Nuk kanë këtë interes, por pasurinë e tyre marramendëse. Kjo situatë do të marrë fund një orë e më parë. Qëllimi ynë është punësimi, prioriteti ynë kryesor. Ju duhet të vazhdoni biznesin për veten tuaj dhe punësim për njerëzit”, theksoi kryedemokrati.

Ndërsa iu drejtua qytetarëve se më 16 shkurt vetë Basha nuk do të flasë, por do të jenë qytetarët që do të flasin.
“Ndërmerreni ju këtë hap dhe të jeni të sigurt dhe ju pastaj merrni në dorë fatin e vendit ashtu si 30 vite më parë në dhjetor të ’90. Me 16 shkurt hajdeni merreni dhe çlironi të drejtat që jua kanë marrë peng pa votë. Të hapim rrugën për një qeveri tranzitore kalimtare për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme parlamentare”, tha Basha ndër të tjera.
Qytetarë gjatë takimit me Bashën i janë drejtuar kryedemokratit se “me tuba me lule nuk rrëzohet Rama”, e kemi provuar”, e ndërsa të tjerë nuk kanë ngurruar që të shprehin se duhet të rrethojmë Surrelin, zonën ku jeton kryeministri që të mos dalë.


“Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur votat e shqiptarëve. Zëri i Amerikës e ka kapur në flagrancë duke vjedhur votat. Ndaj ju ftoj të gjithëve më 16 shkurt të vini në Tiranë dhe t’i tregoni hajdutit të votave vendin. Se ai nuk është më kryeministri i Shqipërisë, por hajduti i votave, i kapur në flagrancë nga Prokuroria dhe i denoncuar nga Zëri i Amerikës. Është kukulla e krimit, Edi Rama. Me Edi Ramën nuk do të ketë integrim dhe stabilitet. Ka ardhur koha që populli të marrë në dorë fatin e tij. Rruga nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë e mundur kur të gjithë shqiptarët të jenë bashkë. Këtë vendim e merr populli i bashkuar, ta shpallim shembullin e besëlidhjes së Lezhës më 16 shkurt. Ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe. Më 16 shkurt nuk ju thërrasim për të na çuar ne në karrigen e pushtetit. Ne duam zgjedhje. Në duam që të ju të vendosni me votë. Me 16 shkurt po ju thërrasim të zgjidhni kontratën me këtë bandë që ka uzurpuar pushtetin dhe që s’ka asnjë lidhje me shqiptarët. Jini masivisht në Tiranë dhe merrni në dorë fatin tuaj!”, deklaroi Basha. Pas takimeve në Lezhë, krydemokrati iu është Shëngjinit për të zhvilluar një takim me peshkatarët e zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë