Politike

Basha në ish-kampin e internimit në Tepelenë: Të marrë fund kulti i krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një vizitë nga afër në kampin e internimit të Tepelenës, është shprehur se kushtet e këtij kampi u ngritën sipas parimit të shfarosjes, i cili u zbatua më herët edhe nga nazistët.
“Nga pikëpamja ligjore ky është krim kundër njerëzimit, sepse, në qoftë se 1 në 3 humbën jetën për shkak të kushteve qëllimisht shfarosëse, çnjerëzore, atëherë këtu bëhet fjalë për kamp shfarosjeje. Duke qenë se gjithçka u zhvillua edhe pa legjislacionin që diktatura e përdorte për të burgosur dhe për të ekzekutuar kundërshtarët e regjimit dhe u drejtua kryesisht kundër familjarëve të tyre, nuk ka asnjë diskutim se edhe motivi i xhelatëve që i sollën këtu, edhe mënyra e veprimit këtu kishte një qëllim, shfarosjen e tyre”.
Gjatë vizitës në ish-kampin e internimit, i mbijetuari Filip Gjomarkaj rrëfeu se familja e tij u dërgua këtu në vitin ‘49 dhe qëndruan deri në ‘54-ën, kur pas vdekjes së Stalinit, kampi i Tepelenës u prish dhe të burgosurit e mbijetuar u shpërndanë në disa kampe të Lushnjës.

Dëshmitarët e mbijetuar të krimeve të komunizmit, pasardhësit e tyre dhe kreu i opozitës ndanë të njëjtin mendim se ruajtja e ish-kampit të Tepelenës është domosdoshmëri, që ai të shërbejë si një institucion kujtese për brezat, për të shmangur përpjekjet e pushtetit aktual për rehabilitimin e diktaturës apo, më keq akoma, për rikthimin në krye të institucioneve publike të nomenklaturës komuniste të brezit të parë apo të dytë.

“Majmunëria e udhëheqjes aktuale, që në poture e në gjuhë, në kuptimin e imitimit të Enver Hoxhës e të xhelatëve të tjerë, që i kanë zhytur duart në gjakun e foshnjave e të fëmijëve, nuk është thjesht teatralizëm, është një investim i rrezikshëm për të rikthyer dramën, sepse historia tregon që një popull, i cili nuk kujton, e përsërit dramën e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës. Riqarkullohen emra xhelatësh në institucionet e drejtësisë e në institucionet e shtetit dhe vazhdojnë flasin ata për drejtësi të standardeve evropiane apo janë bashkëhartues të legjislacionit të Shqipërisë të vitit 2019”, u shpreh Basha.
Ndër të tjera, kryedemokrati vuri në dukje gatishmërinë e PD për të ndërmarrë nisma të mëtejshme parlamentare dhe publike për dënimin e krimeve të komunizmit dhe shprehu besimin se në këtë përpjekje PD dhe opozita nuk do të ishin vetëm, por bashkë me shumë faktorë të shoqërisë, pasi kishte ardhur koha që kulti i krimit të marrë fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë