Lajme

Basha në Durrës: Vizioni i PD-së për Shqipërinë, rimëkëmbja e biznesit

Kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur turin e takimeve “Rrugëtimi për Shqipërinë”, me bizneset në autostradën Tiranë-Durrës.
Lideri demokrat gjatë fjalës së tij tha se biznesi është në luftë për mbijetesë, ndërsa u zotua se Partia Demokratike është e angazhuar për të ulur taksat.
Basha tha se vizioni i PD-së për Shqipërinë është rimëkëmbja e biznesit.
“Sektori i biznesit është në luftë për mbijetesë. Ju po mbyteni nga efekti i rritjes së taksave, rritjes së kostos dhe korrupsionit të kudogjendur që kanë shkaktuar një klimë biznesi më të keqe në Evuropë.
Në kontrast me këtë qeveri, për mua një biznes i çliruar, i rimëkëmbur është në zemër të vizionit tonë për Shqipërinë. Ju keni gjenialitetin për të çarë përpara, për të arritur sukses për të qenë shtyllë e prosperitetit të vendit”, u shpreh Basha.
Basha tha se biznesit i duhet një qeveri që ta ndihmojë.
“Ajo që ju duhet është një qeveri që ju kupton, mbështet dhe që ju jep pak ndihmë. Një qeveri që t'jua bëjë jetën më të lehtë. Për këtë arsye ne jemi të përkushtuar për uljen e taksave për luftën kundër korrupsionit dhe kushteve të barabarta”, tha ndër të tjera kryedemokrati.
Ai tha se “për një kohë shumë të gjatë, Shqipëria po tregohet me gisht si kryeqyteti i krimit në Ballkan”, duke ftuar bizneset e sipërmarrjet që të bëjnë gjithçka së bashku që Shqipëria të kthehet në kryeqytetin e biznesit në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë