Politike

Basha në Bruksel, nesër mungon në protestë. Nuk shkon as në Prokurori

Kryedemokrati Lulzim Basha nuk do të jetë në protestën që opozita e bashkuar ka parashikuar të enjten para Parlamentit. Që prej dorëzimit të mandateve parlamentare opozita proteston sa herë ka seancë plenare.
Kryetari i Partisë Demokratike mësohet se do të jetë në Bruksel në takimin e Partive Popullore Europiane.
Përveçse do të mungojë në protestën para Parlamentit, Basha nuk do të shkojë nesër as në Prokurori, ku është thirrur nga organi i akuzës në lidhje me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA.
Hetimet për dosjen e lobimit janë riaktivizuar nga ardhja e dy letërporosive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Skocia, nga ku PD ka paguar 525.000 dollarë, ndërsa kompanisë “Biniatta Trade” 150.000 dollarë.
Për këtë çështje do të rimerret në pyetje ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, të cilit i ka mbërritur një fletëthirrje për t’u paraqitur në Prokurori edhe ai më 21 mars.
Po në të njëjtën datë do të ripyetet nga prokurori Gjergj Tako edhe financieri i kësaj force politike, Ilir Dervishi. Ndërsa, sekretari aktual i PD-së, Gazment Bardhi është ftuar të njihet me aktet e kësaj dosjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë