Lajme

Basha në Britani, publikon dokumentin që frymëzon lirinë

Nga Britania, ku ndodhet prej tre ditësh në një vizitë pune, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar foton e dokumentit 800-vjeçar të “Magna Carta”, dokument i cili siç thotë ai, ka frymëzuar betejat madhështore për liri në të gjithë botën. Basha shprehet se ky dokument në thelb të tij ka barazinë sociale dhe të drejtën e individit.

Sipas tij, ai është tregues i qartë i përcjelljes së simbolikës se pushteti buron nga njerëzit dhe duhet t’iu shërbejë vetëm atyre.

“Të dashur miq, këtë foto e mora, nga panelet e Westminster, ndërtesës historike të Parlamentit Britanik, nënës së gjithë parlamenteve. Është Magna Carta, dokumenti 800 vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike tek Revolucioni Amerikan dhe ai Francez.

Madhështia e saj qëndron te ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti”, shkruan Basha në një mesazh në “Facebook”.

Më tej ai shton se, “Magna Carta është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu. Magna Carta është Karta e Madhe që e bëri Britaninë të madhe sepse vendosi precedentin se mbi të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve nuk ka pushtet mbi tokë përveç pushtetit të njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit!”

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2412105548840612

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë