Politike

Basha: Ministrat e larguar të korruptuar, të rinjtë janë anonimë

Pas ndryshimit të gjysmës së qeverisë nga kryeministri Rama vjen edhe reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha deklaroi se me këto largime ai tregoi se qeveris direkt me oligarkët dhe krimin dhe e ndërron qeverinë si të dojë.
“Ai e ka më të lehtë kështu që vendimet që merr bashkë me kriminelët t’i vulosin disa njerëz pa përgjegjësi politike. Janë njerëz të zhytur në afera korruptive. Sot pamë një grup njerëzish që nuk kanë asnjë rol përveç se duartrokasin vendimet e Edi Ramës, që i shërbejnë vetëm atij. Ai është në gjendje të rënduar psiqike”, tha Basha. Sipas Kreut të PD, ky vendim është një tallje me shqiptarët.
“Pasi braktisi për 5 vite me radhë, sot Rama u tall me shqiptarët, duke treguar se ai vendos kë të dojë dhe askush s’e ndalon. Largimi i tyre nuk mjafton, ata duhet të dalin para drejtësisë. Ai dëshmoi se nuk ka nevojë për ministra, por se qeveris direkt me oligarkët dhe krimin. Është një përzierje njerëzish të paaftë, anonim dhe të korruptuar”, u shpreh kreu i PD.
Në fund, Basha theksoi se Partia Socialiste ka degraduar dhe Rama është futur në marrëzi.
“Ndryshimet tregojnë degradimin e plotë të qeverisë së PS, pasi është një plaçkë private, që i shërben atij, oligarkëve dhe kriminelëve. Edi Rama është i mbushur me urrejtje për njerëzit dhe i krimbur nga paratë. Po bën aktet e një të marri. Peshku është qelbur nga koka”, përfundoi Basha.

Po ashtu ka ardhur dhe reagimi i kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Në një deklaratë për mediat, ajo deklaroi se sot ra qeveria e Surrelit, jo qeveria e shqiptarëve.

“Qeveria ra sepse ky asnjëherë nuk përmend se sa shumë taksa paguajnë shqiptarët, por çdo ditë ulëret sikur ky ka bërë uljen më të madhe të taksave. Në fakt ky nuk është një ndryshim qeverie, por rënieje qeveri. Ra si rezultat i skandaleve korruptive. Vetëm me një tender, Rama vjedh 40 mln euro.
Rama harroi të thoshte sot para Partisë së Surrelit se qeveria duhet t’u shërbejë qytetarëve të saj, popullit të saj. Rama ndërroi disa pajisje dhe disa detergjente, por harron që duhet ndërrohet lavatriçja. Duhet të largohet Rama, jo ministrat”, tha kryetarja e LSI.
“Shkollëpaku si gjithmonë gabon se dhe me matematikën më të thjeshtë që të hapësh 300 mijë vende pune, duhet që rritja ekonomike të jetë minimumi 10%. Pyet ata që kanë mbaruar matematikën ta shpjegojnë ose mua si doktoreshë. Fiksoje në tru që të mos gënjesh. Qeveria jote ra sepse ti vazhdon të gënjesh duke thënë se rritja e konsumit në Shqipëri është rritur, por sipas INSTAT konsumi në 90% është ulur dhe është rritur vetëm në 10%. Shqiptarët e kanë ulur konsumin sepse nuk kanë rritje pagash, jetojnë më keq”, tha ndër të tjera Kryemadhi.
Në fund, Kryemadhi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve t’i bashkohen protestës së diasporës në orën 17:00 kundër qeverisë.
“Sot Edi Rama do vetëm një të fryrë. Bashkojuni sot në orën 17:00 shqiptarëve që kanë ardhur nga diaspora. Harrojeni politikën dhe bashkohuni. Sot të gjithë së bashku kundër lavatriçes së krimit. O sot o kurrë!”, shprehet Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë