Lajme

Basha: Me Ramën jo më pazar. Kryemadhi përmend kanunin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar sot shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Nga Berati, gjatë një takimi me mbështetës të PD, Basha kujtoi precedentin e vitit 2007, kur zgjedhjet u shtynë pas kërkesës së Ramës. Sipas liderit të PD, shtyrja e zgjedhjeve nuk është antikushtetuese.

“’Nuk i shtyn zgjedhjet se nuk më lë kushtetuta’, thotë Rama. Ka harruar që 2 herë i shtyu zgjedhjet, në 2007 për një çertifikatë lindje. Tani thotë nuk më lejon kushtetuta. Kundër kushtetutës është të emërosh kandidatë me rekorde kriminale, - deklaroi Basha. - Më lejoni ta them këtu nga Berati, pas vizitës time në perëndim, se bashkë me aleatët tanë strategjikë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit, drejt despotizmit me frymëzim lindor. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ne e kemi nisur këtë betejë madhështore, jo për pushtet, por për një ideal që frymon që prej ditës tonë të parë si demokratë: ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.

Basha përsëriti se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me kryeministrin dhe aq më keq sipas tij asnjë pazar me të.

“Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka Pazar me Edi Ramën. Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do ti bindej sovranit për të djegur mandatet. Kjo ndodhi! Këtu nga kjo sallë ju them sonte: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi ë tij është ë panegociueshëm për ti hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme, zgjedhjeve të lira”.

Ndërkohë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi gjatë një takimi me gratë e LSI në Tiranë, se burrat dështuan për ta bërë Shqipërinë këto 30 vjet dhe tani radhën e kanë gratë dhe nënat.

“Më 25 maj do të dalim me gratë dhe nënat në shesh për t’i dhënë protestës paqësore dinjitetin e duhur. Tranzicioni i burrave nuk i dha Shqipërisë asgjë nga ato që shqiptarët kërkuan 30 vjet më parë, ndaj radhën e kanë gratë. Gratë dhe vajzat janë çelësi i opozitës”, deklaroi Kryemadhi.

Pjesa më e madhe e komisionerëve në qendrat e votimit do të jenë gra, tha Kryemadhi, ndërsa pati edhe një mesazh për kryeministrin.

“Misioni ynë është që të luftojmë për fëmijët. Nuk do të ndodhin më kompromise në kurriz të shqiptarëve. Pjesa më e madhe e komisionerëve në Qendrat e Votimit do të jenë gra. Aty ku Rama nuk pranon ligjin, mos u çuditni kur shqiptarët të përdorin kanunin. Sa më shumë zgjat agoninë e tij, aq më i dhimbshëm do jete fundi i tij. Çdo ditë që ikën është dhimbje për shqiptarët”, deklaroi kryetarja e LSI.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë