Lulzim Basha thotë se programi ekonomik i Partisë Demokratike, në thelb të të cilit është taksa e sheshtë në nivelin 9 për qind nuk është premtim, por zotim që shprehet se do ta mbajë me të marrë frenat e qeverisjes së vendit në dorë.
Në një takim me përfaqësues të Shoqatës së Fasonëve këtë të shtunë, kreu i opozitës u shpreh se ata që po sulmojnë sot alternativën qeverisëse opozitare janë të njëjtët persona përgjegjës për dështimet e keqqeverisjes “Rama” në 8 vjet.
Sipas Bashës, programi i prezantuar nuk është një program mrekullish, por normalizimi dhe rimëkëmbjeje ekonomike. Ai thotë aktualisht me urgjencë është ndalja e rrënimit të ekonomisë, që shprehet se ka nisur para se vendi të goditej nga tërmeti dhe pandemia.
“Ajo që kemi prezantuar nuk është program mrekullish. Eshtë program normalizimi dhe rimëkëmbje ekonomike. Taksa e sheshtë 9%, ulje e madhe e barrës fiskale. Çdo litër naftë do të jetë 240 lekë më lirë. Rimbursimi i TVSH-së është kthyer në një ankth”, deklaroi Basha.
Ndër shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e industrisë fason ishte edhe luhatjet e kursit të këmbimit, duke u shpreh se nga kjo luhatje kanë humbur pjesë të mira të fitimit të tyre neto.
Basha u premtoi ngritjen e një fondi garancie që do t’i mbrojë nga luhatjet e tregut të këmbimit valutor, ndërsa tha gjithashtu se do t’u subvencionojë energjinë elektrike. Në këtë sektor, kreu i PD-së u shpreh se ka një abuzim të madh në të gjithë zinxhirin e sistemit, që nga prodhimi e deri tek shpërndarja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.