Politike

Basha mbështet SPAK: Shpresa e vetme e shqiptarëve, ndaj duan ta kenë nën kontroll

Gazeta Si - Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar SPAK-un si shpresën e vetme të shqiptarëve në luftëën antikorrupsion.

Në Kuvendin zgjedhor të degës 8 dhe 2 në Tiranë mbrëmjen e kësaj të premteje, Basha tha se pas deklaratës së Ahmetajt, u kuptua se pse qeveria kërkon ta ketë nën kontroll SPAK-un, pasi sipas tij janë të gjithë të zhytur.

“Mbrëmë dhe sot e kuptuam se pse e duan me çdo kusht ta kenë SPAK-un nën kontroll, me hir apo pa hir, me hile me ligj e rregullore e duan në kontroll, sepse janë të zhytur të gjithë, - u shpreh ai. – SPAK-u është shpresa e vetme e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nuk është perfekt, por është e vetmja shpresë ndaj duan ta mbysin ose ta kthejnë në një tjetër dele në vathën ku duan të fusin delet e tjera. Nuk do ia dalin, sepse në këtë betejë kemi në krah ata që nuk na lanë 34 vite më parë si kopshti zoologjik i Europës, kemi në krah SHBA-të dhe vendet e tjera të perëndimit që na mirëpresin në gjirin e tyre por vetëm mbi standardet që kanë ndërtuar shoqëritë e tyre”.

Kreu i PD shtoi se përpëlitjet e ish-zv.kryeministrit treguan sesa keq i është mbledhur litari në fyt.

“Përpëlitjet e mbrëmshme, tregojnë se sa keq i është mbledhur litari në fyt atij që ka abuzuar me pasuritë dhe pronat e shqiptarëve. Duan ta presin litarin, duan të përdorin duart e hallexhinjve të njëjtë, duan të përdorin skema, por duhet ta dinë që PD mbështet hetimin e të korruptuarve pavarësisht emrit. PD do t’i ofrojë shqiptarëve rrugën jashtë kësaj mënyrë”, tha Basha.

Basha ka deklaruar se një pakicë kërkon që Shqipëria të jetë në kontrollin e një grupi politik, me një grusht njerëzish që menaxhojnë pasuritë dhe pushtetin ekonomik.

Ai shtoi se vendi është në autokraci, ku njerëzit që sundojnë e kanë marrë pushtetin dhe e mbajnë për veten e tyre dhe për një grusht klientësh të tyre.

“Është beteja e një pakice që do të mbajë këtë gjendje. Që e do Shqipërinë kështu, në kontrollin politik të një grupi politik, me një grusht njerëzish që menaxhojnë pasuritë dhe pushtetin ekonomik. Dhe me riciklimin e një grushti fytyrash që kanë dekada që okupojnë median shqiptare. Synimi është i qartë: pasuritë e këtij vendi, paratë e shqiptarëve, fatet e këtij vendi ti kontrollojnë një pakicë absolute. Kjo është autokracia, sundimi i njerëzve që e kanë marrë pushtetin dhe e mbajnë për veten e tyre dhe për një grusht klientësh të tyre”, u shpreh ai mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë