Politike

Bardhi i kërkon SPAK-ut t’i ofrojë Arben Ahmetajt statusin e ‘Bashkëpunëtorit të Drejtësisë’

Gazeta Si - Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, në lidhje me intervistën e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetajt, ka thënë se ai përdori kodin e mafias për të dhënë mesazhe për aferën me inceneratorët.

Bardhi shkruan se SPAK-u ka pasur dhe ka aq prova në dispozicion sa duhet të kishte arritur tashmë një konkluzion për vënien para përgjegjësisë penale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

“Që Edi Rama dhe Erjon Veliaj janë kokat e aferës së inceneratorit të Tiranës dhe dy zyrtarët më të korruptuar të shtetit shqiptar, askush prej nesh nuk ka pritur ta mësojë nga Arben Ahmetaj, ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës për 20 vjet, - shkruan Bardhi. - Heshtja dhe çdo vonesë tjetër, qoftë edhe përmes mungesës së nisjes së hetimeve kryesisht, ngre dyshime serioze për besueshmërinë e SPAK-ut dhe minon pritshmëritë e larta të qytetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të pushtetit”.

Më tej ai thekson se Ahmetajt, SPAK duhet t’i ofrojë mundësinë për të qenë bashkëpunëtor i drejtësisë për të zbardhur aferat e qeverisë Rama.

“Për të gjitha akuzat e tjera, që gjithashtu janë të dokumentuara, SPAK duhet t’i ofrojë mundësinë Arben Ahmetajt për të qenë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe për të zbardhur së bashku aferat e Qeverisë së Edi Ramës, ku Ahmetaj ka shërbyer për gati 10 vjet, si një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më konfidentë të Edi Ramës! Nëse SPAK-u nuk ia ofron këtë mundësi, Arben Ahmetaj, që deri dje, na bënte leksione për pavarësinë e drejtësisë së re, duhet të deklarohet publikisht si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të tregojë sesi me Edi Ramën në krye, tradhëtuan shqiptarët përmes aferave të rënda korruptive dhe lidhjeve me krimin e organizuar!", - e mbyll ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë