Politike

Basha kujton Olldashin, familja e miqtë kundër: Sikur të ishte gjallë Koli…


Pesëvjetori i vdekjes së Sokol Olldashit, ish-deputetit demokrat, i cili humb jetën në një aksident rrugor më 20 nëntor 2013 në rrugën Tiranë-Elbasan, është përkujtuar nga ana e ish rivalit të tij për kreun e PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha.
“Një mbrëmje si sot 5 vjet u nis me ngut drejt amëshimit Sokoli, i cili si pakkush jetoi përtej kohës së tij, më shpejt se koha e tij. Në jetën e tij të shkurtër preku shumë jetë, ndihmoi shumë ëndrra. La pas dashuri, kujtime të paharrueshme dhe një shembull përjetësisht frymëzues”, shkruan kryedemokrati në Twitter.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1064615940040654849


Por postimi i Bashës në kujtim të ish-rivalit të tij ka ngjallur reagimin e familjes së të ndjerit Sokol Olldashi, si dhe të miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
Ardian Olldashi, vëllai i madh i ish-ministrit të Transporteve, e sheh këtë postim si një përpjekje për t’u kapur pas datave, pasi Basha është përgjegjës për katastrofën në të cilën, sipas tij, gjendet PD-ja.
“Në emër të tim vëllai! “Democrazia e narcizizmit” e mbarsur me gjeste të bujshme, deklarata boshe, fraza të prera me masë për rrethanat dhe interesat ne rrjetet sociale me bind edhe një herë që populli shqiptar është më i mirë se politikanët që ka. Sidomos e kam fjalën për atë pjesë të klasës politike që nuk arriti kurrë të ishte opozitë. Në vend që të ndërmerrnin rrugë të reja, ndoshta të vështira dhe të rrezikshme, preferuan të thaheshin, të atrofizoheshin së bashku me partinë e tyre. Koha është mësuesi më i mirë. Koha po tregon se ç‘bënë. Si karroca pa kalë në tatëpjetën e dështimit kërkojnë të kapen kudo. Kapen tek datat përkujtimore (të gabuara si çdo gjë që bënë në jetë) për të mos përfunduar në faqen qesharake të historisë si ata që shkatërruan, përdhunuan, keqpërdoren besimin dhe shpresën e manipuluar të demokratëve të vërtetë”, shkruan Ardian Olldashi.


Më pas duke i drejtuar Bashës shprehet se “Nuk u “kujtuat” me vetëdije për Sokol Olldashin një muaj pasi ishte larguar në kongresin tuaj të rimëkëmbjes, kujtoheni pesë vjet pa një ditë më pas në luginën tuaj të lotëve, ku prisni që mëshira e kohës, ndoshta kur do jeni zbardhur vetëm nga flokët t’ju falë edhe një herë pushtetin që nuk dini ta fitoni. Ju dhe ipertrofia juaj e Unit jeni përgjegjës historike të kësaj katastrofë që demokratët e vërtetë nuk ju kishin borxh”.
Postimi i kryedemokratit solli dhe reagimin e miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit. Astrit Patozi, një mik i Olldashit, shprehet se Basha ngatërroi datën e përvjetorit dhe se nuk i mjafton se gënjen të gjallët, por edhe ata që nuk jetojnë më.

“Janë ca njerëz në këtë botë, që nuk mjaftohen duke gënjyer të gjallët, por guxojnë e bëjnë këtë edhe me të vdekurit. Dhe mendoj se kjo është një arsye shumë e fortë për ta shtyrë sa më shumë vdekjen. Nuk është pak t'u heqësh atyre mundësinë që të vijnë e të bëjnë sikur qajnë tek varri. Madje duke mos pritur që të mbushet edhe viti tamam, por një ditë përpara, sikur të ishte festë…”, reagon Patozi.

Ndërsa ish-deputetja demokrate Mesila Doda e përkujton në këtë mënyrë bashkëpunëtorin dhe kolegun në PD.
“U bënë 5 vite pa ty shok… sa më shumë kohë kalon, aq më shumë dëgjoj njerëz të thonë… sikur të ishte gjallë… Kam menduar gjithmonë që ikja jote e pakohe ishte keqkuptim, gjithçka do ishte ndryshe e më mirë në këtë botë, nëse një njeri si ti do ishte ende… Paqja e Zotit qoftë me ty Sokol… ne të gjallët luftojmë ende derisa të marrim frymë. Tek e fundit jeta është një betejë pa fund dhe t’i i përkisje atij lloji luftëtarësh që betejat e tua i bëjë me mendje e zemër… pusho në paqe vëlla, kjo botë është kaq ndryshe qysh kur ike ti…”, shkruan Doda, e cila tashmë ka ikur PD-ja, për t’u bashkuar PDIU-së së Shpëtim Idrizit.

Aksidenti i Olldashit
Në natën e 20 nëntorit 2013, në rreth orës 21:15 u raportua për një aksident në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në vendin e quajtur “Lapidari i Kërrabës”. Më pas u raportua se në makinë ishte deputeti i PD-së, Sokol Olldashi. Për shkak të reshjeve të shiut, automjeti tip Benz me targa AA 003 HN, me të cilin udhëtonte Olldashi humbi kontrollin, duke dalë jashtë rrugës. Edhe pse makina ka rënë nga një lartësi jo më shumë se prej 7 metrash, në një kthesë të rrezikshme, aksidenti ka qenë fatal. Shkak është bërë moti i keq, shpejtësia dhe lagështira. Ndërsa dy orë pas aksidentit, u nxor trupi i pajetë i Sokol Olldashit nga makina e aksidentuar në tek zona e quajtur “Lapidari i Kërrabës”. Ministria e Brendshme e konfirmoi se ishte trupi i Olldashit, ai që është gjetur në makinë. Mësohet se fytyra e deputetit të ndjerë është e shpërfytyruar, por identifikimi është bërë nga mjetet e identifikimit që ai kishte me vete.

Makina e ish-ministrit të Transportit, Sokol Olldashi, pas aksidentit më 20 Nëntor 2013


Karriera politike e Olldashit
Sokol Olldashi me ardhjen e PD-së në pushtet në vitin 2005, pas 8 vitesh në opozitë, në qeverinë e kryeministrit Berisha mbante një nga postet më të rëndësishme atë të ministrit të Brendshëm. Ai do të mbahej mend se arrestoi disa prej bandave më të rrezikshme në Shqipëri. Zgjedhjet lokale po afronin dhe Berisha zgjodhi ministrin që e cilësonte si më të suksesshëm në qeverinë e tij që ta kishte si kandidat për Bashkinë e Tiranës përballë kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Atë kohë humbja ishte thellë, kjo pasi PS-ja ishte në një koalicion me LSI-në.
Pas kësaj beteje elektorale, Olldashi do të bëhej ministër Transporteve. PD-ja arriti të mbante pushtetin me zgjedhjet e vitit 2009 falë pranimit të LSI-së për t’u bashkuar me koalicionin e PD-së. Katër deputetët e LSI-së do ta mbanin në këmbë mazhorancën e djathtë. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, kryedemokrati Sali Berisha jep dorëheqjen duke marrë përsipër përgjegjësinë humbjes në këto votime.

Sokol Olldashi duke folur në Parlament


Pas këtij vendimi u hap gara për kreun e PD-së, ku dy rivalët për numrin një të partisë më të madhe opozitare do të ishin Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, i cili kishte preferencën e Berishës përballë ish-ministrit të Transportit.
Në përplasjet për garën për kreun e PD-së, Olldashi do të dilte hapur dhe do të shprehej se zgjedhjet parlamentare PD-ja i humbi për shkak të koalicionit qeverisës me LSI-në. Më 22 korrik 2013, Basha do të zgjidhej si kryetar i PD-së mbi bazën e një parimi “një anëtar, një votë”, në një proces të cilin u kontestua.
Pas kësaj humbjeje, Olldashi mendohej se po bënte përpjekje për krijimin e një rryme apo fraksioni brenda PD-së, në të cilën kishte mbështetjen edhe të deputetëve Astrit Patozi apo Mesila Doda. Gjithashtu pati zëra se asaj kohe ish-ministri mund të shkëputej duke krijuar një parti politike më vete.
Ndërsa do të mbahej mend si deputeti i PD-së që kundërshtoi ashpër futjen e armëve kimike në Shqipëri me qëllim asgjësimin e tyre, duke u bërë thirrje demokratëve që të dilnin të gjithë në protesta në nëntor 2013 kundër qeverisë Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë