Lajme

Basha kujton 73-vjetorin e Kryengritjes së Postribës: Sot paradë krenarie e xhelatëve

Lideri demokrat, Lulzim Basha, ka përkujtuar sot 73-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, duke e cilësuar atë si të parën kryengritje antikomuniste në Europë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruan se Kryengritja e Postribës tronditi nga themelet regjimin gjakatar, që si vegël e verbër e dhunës staliniste ishte vënë në gjueti të të gjithë patriotëve.
“Kryengritja e Postribës u pasua nga Masakra shtetërore e Postribës. Por për zbardhjen e emrave të urdhëruesve të kësaj masakre, shteti shqiptar bëri shumë pak në këto 30 vjet. Në vend të një ndjese të pandërprerë për dhunën në përmasa genocidale të ushtruara ndaj zonave të tëra të vendit, sot e kësaj dite shohim, dëgjojmë e lexojmë justifikime nga pseudo-historianë e politikanë të paskrupullt, se regjimi komunist ishte i detyruar të kundërpërgjigjej ashtu, se në fund të fundit dhuna shtetërore ishte një mbrojtje legjitime, se pushteti u mor me pushkë e natyrisht edhe duhej mbrojtur me armë”, shkruan ndër të tjera Basha.
Ndër të tjera Basha thekson se sot në vendin tonë po shohim një paradë krenarie të xhelatëve.
“Në 73-vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës më duhet të pranoj se kjo krenari e xhelatëve fatkeqësisht ka një frymëzim shtetëror. Struktura të shtetit janë angazhuar ethshëm për restaurimin e pushtetit të bijve të nomenklaturës dhe me forcën e propagandës e të strukturave të pushtetit po kërkohet të tulasin ish-të përndjekurit politikë, po tentohet t’i getoizojnë ata në cep, jashtë jetës publike, jashtë angazhimeve civile e jashtë përpjekjeve legjitime për të marrë pjesë në pushtet e në ndërtimin e shtetit.
Ky restaurim kumtëzi e kthen pas Shqipërinë, e ridërgon atë në hapësirat antidemokratike e orientale të Lindjes. Por kjo përpjekje që shkon në kundërshtim me idealet perëndimore të heronjve të Postribës dhe me aspiratën e mbarë shqiptarëve për integrim në Perëndim, nuk ka për të pasur sukses”, shkruan ndër të tjera lideri demokrat.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/photos/a.181622028555653/2610077839043381/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë