Politike

Basha-Kryemadhi, plani opozitar deri në zgjedhje

Mbyllja e punimeve të Kuvendit dhe marrja e pushimeve la disa enigma në kampin opozitar, si për aksionin që duhej ndjekur në misionin që i ka vënë vetes për të larguar Edi Ramën, ashtu edhe për bashkëpunimin në zgjedhjet vendore që po trokasin.

Por, periudha e pushimeve duket se ka shërbyer për të reflektuar dhe të paktën nga sinjalet e para të përçuara nga dy udhëheqësit kryesorë opozitarë janë më të qarta dhe më të forta.

Fillimisht Monika Kryemadhi dhe më pas Lulzim Basha deklaruan zotimin për të bashkëpunuar në betejën politike kundër Kryeministrit Edi Rama. Si pikë e parë e përbashkët është gjetur ligji për Teatrin Kombëtar, i rikthyer nga Presidenti për rishqyrtim në Kuvend dhe i projektuar nga mazhoranca për ta kaluar në seancën plenare të 13 shtatorit.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1405540566215256/?fb_dtsg_ag=AdwmzzqZ0riLo9JGwAdlUzA0bwDaHqRTwByqcMn9ZPLeUA%3AAdzrOBqWjSTZUHm2KPIbKzBiKOWCohYSTrK8WRJ553yBtQ

“Do të jetë një sesion shumë i vështirë, i cili fillon me grabitjen e pronës së shqiptarëve, Teatrin Kombëtar. Nuk është thjesht grabitja e një godine me qerpiç sipas kryeministrit, por është grabitje e vlerave, identitetit, kulturës dhe historisë jo vetëm të popullit shqiptar por dhe të rinisë se mbi të gjitha në atë teatër kanë kaluar breza të tërë, aktorë të rinj të cilët janë bërë aktorët më të mirë dhe më të dëgjuar në Shqipëri”, paralajmëroi Monika Kryemadhi.

Lulzim Basha u tregua akoma më i ashpër.

“Mos t’i shkojë në mëndje ta sjellë në seancë! Ajo është vija e kuqe, pastaj gjithçka do të jetë në dorë të njerëzve dhe këtu pastaj opozita nuk dikton me çfarë mjetesh e marrin në dorë”, tha ai.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/229022364436447/?fb_dtsg_ag=AdwmzzqZ0riLo9JGwAdlUzA0bwDaHqRTwByqcMn9ZPLeUA%3AAdzrOBqWjSTZUHm2KPIbKzBiKOWCohYSTrK8WRJ553yBtQ

Por, Teatri është vetëm njëri nga shumë frontet e “luftës” opozitë-mazhorancë. Me rëndësi për demokratët mbetet edhe lufta kundër krimit, që thotë se mbrohet nga Qeveria e që fijet e tij shkojnë deri tek zyra e Edi Ramës.

“Nuk do të ketë situatë dhe zgjedhje normale sa kohë të ketë një kryeministër të lidhur me krimin”, sqaron Basha.

Monika Kryemadhi përmendi sulmin ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala për të ilustruar situatën, sipas saj, alarmante në të cilën ndodhet vendi.

“Sot kriminelët nuk kanë më frikë nga shteti. Kriminelët kanë pasur një lloj frike, por sot nuk kanë më se shteti është në dorën e tyre. Dëgjojmë deklarata qesharake, që krimineli ka frikë nga drejtësia, por po të ketë frikë nga reforma në drejtësi, nuk qëllon qytetarët me kallashnikov”, tha ajo.

Nëse për betejën kundër krimit, që njëzëri opozita thotë se ka kapur Qeverinë dhe për çështjen e Teatrit Kombëtar, PD dhe LSI kanë patur qëndrime thuajse identike, kur flitej për bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet e ardhshme vendore, deri më tani që të dyja partitë ngurronin që të dilnin me një qëndrim të qartë.

Tani duket se bashkëpunimi do të ndodhë, duke filluar që me punën për identifikimin e kandidatëve të përbashkët për kryetarë bashkie në të gjitha bashkitë e vendit, përfshirë Tiranën.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi

“Nuk është e fshehtë që opozita e bashkuar do të dalë bashkë në zgjedhjet e ardhshme. Nuk është e fshehtë as që po punon për të gjetur kandidatin fitues për Bashkinë e Tiranës, por e rëndësishme është platforma jonë e përbashkët për uljen e taksave, që po u marrin frymën shqiptarëve”, deklaroi Kryemadhi.

Lulzim Basha e konfirmoi.

"Opozita do të dalë e bashkuar në zgjedhje. Do të përballemi të bashkuar me të gjitha sfidat. Ne po kërkojmë që ky bashkim të jetë sa më i madh. Do të ecim në bazë të një plani të mirëfilltë opozitar, por rëndësi ka përmbajtja dhe jo forma. Prioriteti është të kemi një kryeministër dhe një ministër të brendshëm që nuk janë të lidhur me krimin. Aksion politik, protesta, arsenalin opozitar do ta vendosim në lëvizje për këtë qëllim", u shpreh Basha.

Në kohën që konfirmoi aleancën me LSI-në, kreu i PD përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi, sado të vogël me Edi Ramën. Një prej pikave ku përflitej për një bashkëpunim mes PD-së dhe PS-së është reforma zgjedhore.

Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët këtë të premte

“Nuk do të ketë asnjë pakt me PS për reformë zgjedhore pa i dhënë zgjidhje katastrofës politike. Gjithçka tjetër është mashtrim. Nuk do të ketë pakt politik tjetër dhe bashkëqeverisje Rama-Basha. Nuk do të bëhemi maskë”, u shpreh Basha.

Këto janë vetëm deklaratat e para që projektojnë, të paktën në terma politikë një vjeshtë më të “nxehtë” se vitet e tjera dhe veç zotimit publik për bashkëpunim dhe aksion të përbashkët, dy partitë kryesore të opozitës kanë nisur edhe takimet me bazën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë