Politike

Basha: KiE na dha të drejtë! Gjithçka për të ndalur 30 qershorin

Lulzim Basha përsëriti mbrëmjen e së mërkurës qëndrimin e opozitës, se për të vendimi i Këshillit të Europës është një vendim politik. Për ta përforcuar këtë bindje, kreu i PD-së citoi një pjesë nga deklarata e publikuar dhe më pas e fshirë nga faqja zyrtare e KiE.

“Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik. Është një vendim i pastër politik, një distanicm i prerë nga zgjedhjet false njëpartiake, nga organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Europë, nga organizata kryesore që mbron të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe pavarësisë së pushteti lokal”, deklaroi Basha.

Basha kujtoi se Këshilli i Europës u tërhoq për herë të parë në historinë e tij nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.

“Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit. Tashmë po bëhen të qarta për të gjithë përmasat e skandalit kushtetues, ligjor dhe politik të 30 qershorit. Qëndrimi i opozitës mbetet i prerë: Këto nuk janë zgjedhje. Ato nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht”, shtoi Basha.

Qëndrimin se 30 qershori nuk mund të quhet datë zgjedhjesh, Basha thotë se ja ka bërë të qartë ditët e fundit të gjithë partnerëve ndërkombëtarë me të cilën ka qenë në kontakt.

“U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së tha se opozita do të bëjë çdo gjë për të parandaluar këtë proces, ndërsa përsëriti kushtin se pa largimin e Edi Ramës dhe pa ndëshkimin e grabitësve të votës, opozita nuk do të hynte në zgjedhje.

“Të dielën në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje. Do të ketë një farsë. Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo aventurë të ndalet, që farsa të mos ekzekutohet”, tha ai.

Basha akuzon Ramën se po i bën presion administratës publike.

“Regjimi i Edi Ramës po u bën presion gjithë punonjësve të administratës publike që të dalin në votime me çdo kusht dhe të marrin familjet. Është dhunim i lirisë, dhunim i vullnetit të lirë, dhunim i dinjitetit të njerëzve. Drejtorët, ministrat dhe shefat kudo në administratë, tani kanë marrë vetë rolin e të fortëve dhe të kriminelëve, duke kërcënuar dhe detyruar shqiptarët për të votuar”, u shpreh ai.

Sipas Bashës, autorët grabitjes së votave të dalë në përgjimet e Bild, jo vetëm që nuk po ndëshkohen, por po drejtojnë fushatën aktuale të socialistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë