Politike

Basha kërkoi testime, Rama: E bëri Franca dhe nuk po e ndalon dot infeksionin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po përsërit çdo ditë nevojën për rritjen e numrit të testimeve, si masë për parandalimin e pandemisë. Jo vetëm kaq. Ai ka kërkuar që mazhoranca të përfshijë në këtë kohë pandemie edhe planin që ajo ka propozuar.

Vetëm të premten, kryeministri Edi Rama i ka kthyer një përgjigje ironizuese, thjesht për konsum mediatik.  

“Kush nuk ka punuar kurrë dhe kush është mësuar të flejë gjumë si miku im Luli, dhe ti gjej gjërat gati nga të tjerët kur hap sytë mes dy periudhave të gjumit, nuk e kupton dot që nëse ti ndalon punën, nëse ti ndalon investimet, nëse ndalon aktivitetin që jep po ende dhe prodhon të ardhura dhe çfarë parash ke i shpenzon të gjitha për sot për sot, nesër jo vetëm që vdesin rrugëve njerëzit, se s’ke më me çfarë paguan mjekët dhe infermiere , por familje të tëra të panumërta vdesin nga papunësia totale. Hiqe këtë, hiq atë dhe ti çojmë të tëra paratë për ato përrallat, me demek zgjidhjes”, tha Rama.

Në këtë nivel ironie e kishte edhe përgjigjen tjetër për rritjen e numrit të testimeve. Duke sjellë krahasime, (ashtu si Berisha në një kohe) me vendet e tjera të Europës.

 “...Bëj testime më shumë thotë që të ndalosh infeksionin! Po mirë pse nuk e ndalon Franca infeksionin, që është vendi i parë sot për numrin e testimeve. Pse se ndaloi Gjermania?

Pse nuk e ndaloi askush infeksionin se i bënë më shumë apo më pak testime?! Dhe kush jemi ne, kush jam unë, kush është ai, kush janë politikanët që vendosin sa testime do behën?!

Kush janë, ne thjesht dhe vetëm kemi detyrimin t’ju përgjigjemi atyre që janë në krye të detyrës, që t’u bindemi, t’i dëgjojmë dhe të në tregojnë se çfarë duhet të bëjmë...”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë