Lajme

Basha: Kam mbështetjen e ndërkombëtarëve! Kjo qeveri rrezikon edhe interesat e tyre

Lulzim Basha ndan bindjen se zhvillimet para, gjatë dhe pas 30 qershorit e kanë përforcuar edhe më shumë mbështetjen e ndërkombëtarëve për kryekauzën e opozitës, që është largimi i Edi Ramës.

Por, çfarë e shkaktoi këtë ndryshim të qëndrimit të ndërkombëtarëve? Sipas Bashës, pika e kthesës ishte 10 qershori, kur Ilir Meta nxorri dekretin që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit.

“E reja qëndron në faktin se për shkak edhe të zhvillimeve, para, gjatë dhe pas 30 qershorit, qartësisht kemi një realitet të ri politik,edhe përsa i përket faktorit ndërkombëtar. Këtë e shikoj në shumë hapa, e shikoj sa i përket procesit të 30 qershorit dhe legjitimitetit të munguar të 30 qershorit, në akte të tilla si tërheqja e misionit më të rëndësishëm që vëzhgon zgjedhjet vendore, që nuk është misioni i OSBE/ODIHR-it, por është misioni i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës. Kush i tërhoqi, unë i tërhoqa? Natyrisht këto janë vendime, janë sinjale të qarta që jepen, sa i përket rënies në pikiatë të demokracisë në Shqipëri dhe sinjaleve që duhet të jepen në këtë drejtim”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për Syri.net.

Kryedemokrati mbron vendimin e djegies së mandateve, që thotë se arriti dy qëllime kryesore.

“Së pari na distancoi nga një pushtet i korruptuar në palcë që e kishte kthyer Parlamentin në një institucion vjedhjeje me ligj. Qëllimi i dytë që u arrit ishte që një masë ekstreme, që i përgjigjet një realiteti ekstrem rezultoi e nevojshme për të vetëdijësuar të gjithë, edhe partnerët tanë strategjikë, se kështu nuk shtyhet më”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike njoftoi se shumë shpejt do të udhëtojë për një vizitë në Uashington. Ai foli për takime të rëndësishme në Kongres, Senat dhe me zyrtarë të administratës së Donald Trump, por nuk dha asnjë emër.

“Do të jem shumë shpejt në një vizitë në Uashington, ku kam dhe kemi një lidhje të fuqishme me vendimmarrësit amerikanë, si në Kongres, në Senat, po kështu edhe në administratë, dhe ku Partinë Demokratike dhe administratën amerikane, në Kongresin Amerikan, në institucionet amerikane, i bashkojnë vlerat, parimet, standardet e demokracisë perëndimore, i bashkon shqetësimi për situatën e thellë kriminale në vend, që tashmë rrezikon edhe interesat gjeostrategjike të partnerëve tonë”, u shpreh Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë