Politike

Basha ironizon Ramën: S’mund të jesh ditën kundër korrupsionit dhe natën kundër SPAK

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ishte në Kuvendin Zgjedhor të degës numër 5 në Tiranë, ku foli edhe për programin e PD që do të prezantojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kjo betejë nuk ka vend për nuanca, nuk bëhet thjesht dhe vetëm sa do të jetë niveli i taksës, sigurisht që taksa jonë do të jetë taksë e ulët. Do të jetë taksa e sheshtë 9%. Sigurisht që qeveria jonë do të jetë një qeveri që do të ketë synime të qarta politike. Dyfishimin, trefishimin, shumëfishimin e shtresës së mesme shqiptare. Dhenien fund problemit të pronës, fuqizimin e rinisë shqiptare në politikë, në ekonomi dhe kudo tjetër. Por megjithatë kryesorja dhe më e rëndësishmja është që ne qëndrojmë sot si e vetmja forcë politike e qartë, e prerë dhe fuqishëm për ato vlera, për ato parime, për ato procese që bëjnë dhe do të bëjnë diferencën midis një Shqipërie të nëpërkëmbur, një Shqipërie të përhumbur, një Shqipërie që zvarritet e plaket në çdo aspekt dhe një Shqipërie e cila ndërton në siguri dhe në mirëqenie të ardhmen e premtuar por akoma të pa arritur për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Dhe qëndrimet tona duhet t’ia bëjmë çdokujt se nuk janë qëndrime partiake, as interesa të ngushta politike, por janë e vetmja mburojë e interesit publik sot në Shqipëri”, tha Basha. Kreu i PD-së u ndal edhe tek zhvillimet aktuale politike që lidhen me SPAK dhe propozimet që ai ka depozituar në Kuvend për këtë institucion.

“Partia Demokratike, ka qëndruar dhe qëndron jo thjesht me fjalë, por me fakte si ato që ndodhen të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë, për fuqizimin e SPAK-ut. Forcim dhe jo dhe jo dobësim të institucioneve të drejtësisë, fuqizim institucioneve të drejtësisë, inkurajim i drejtësisë për të luftuar dhëmbë për dhëmbë korrupsionin politik, pavarësisht prej ngjyrave, pavarësisht prej emrave, ky është qëndrim i prerë, mbështetja jonë për SPAK, për GJKKO, për BKH, për drejtësinë. Rekordet e korrupsionit janë arritur me këtë kryeministër, janë arritur me këtë qeveri. Tani të gjithë kemi kohë që flasim për korrupsionin, edhe ne edhe ata që flasin në emrin tonë e tundin flamurin tonë, por jo të gjithë jemi njësoj. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit ditën, e kundër SPAK-ut natën. Kjo nuk është vetëm paqartësi politike, kjo është vrastare për interesat e demokratëve sepse është e rrezikshme për interesin publik. Prandaj bashkë me propozimet tona në Parlament për të fuqizuar SPAK-un, ndodhet edhe propozimi tjetër për të hequr imunitetin parlamentar. Ky është një qëndrim pa ekuivok, ky është një qëndrim që ndan ditën nga nata, fjalët nga veprat”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë