Politike

Basha i përgjigjet Ramës: Ke rënë nga pushteti, asnjë hap pas

Rreth gjysmë ore pas fjalimit të kryeministrit Rama gjatë çeljes së fushatës së PS për zgjedhjet lokale, kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi duke deklaruar se pushteti ka rënë dhe se nuk tërhiqet asnjë hap pas nga misioni sipas tij, për të çliruar Shqipërinë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kreu i opozitës rendit sipas tij faktet, që do të duhet ta kishin detyruar një kryeministër normal të jepte dorëheqjen e të largohej.

“Pushteti i Edi Ramës ka rënë. Ai duhet të ishte larguar: Kur i dha pushtet kriminelëve! Kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues! Kur Saimir Tahiri doli trafikant dhe blerës votash! Kur Shqipëria u kthye në hambar droge! Kur u zbuluan koncesionet e hajdutërisë! Kur Fatmir Xhafaj mbrojti drogën me shtet! Kur fshehu 30 milionë euro në Amerikë! Kur ekonomia u kap nga paratë e krimit!

Kur vodhi votat me Dakon dhe Gjiknurin! Kur shkatërroi pa ligj shtëpitë e njerëzve! Kur helmoi fëmijët me gaz lotsjellës! Kur bllokoi rrugën drejt Europës! Kur grabiti me oligarkët çdo pasuri publike! Kur tradhtoi integritetin e Kosovës! Kur zhyti 300 mijë shqiptarë në skamje! Kur mbylli gjykatat! Kur ja dorëzoi shtetin banditëve! “, shkruan Basha.

Më tej ai komenton se për çlirimin e Shqipërisë nga e keqja, nuk do ketë, “asnjë hap pas! Të gjithë të bashkuar do ta ndryshojmë fatin e vendit tonë! Nuk do ta lëmë Shqipërinë në duart e një bande që ka marrë peng të ardhmen e një populli të tërë. Koha e banditëve në pushtet ka mbaruar, ka ardhur koha e shqiptarëve! Asnjë hap pas! Nesër të gjithë në shesh në orën 19:00", -  shkruan kryedemokrati.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/417557108975148/?v=417557108975148

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë