Politike

Akuzohet vetëm për falsifikim. Basha: Ra fabrikimi i Ramës. Me rusët ka lidhje vëllai i Vuçiç

Pushimin e akuzës për pastrim parash dhe lidhje me rusët në çështjen e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha e cilësoi si rrëzim të 90 për qind të gënjeshtrës së fabrikuar, sipas tij, nga Edi Rama.

“10 përqindëshi do të rrëzohet në gjykatë. Sot dolën provat që prokuroria ishte përdorur nga Edi Rama për të fabrikuar gënjeshtra, që as vetë nuk i beson dhe u detyrua të tërhiqej nga gënjeshtrat, me të cilat operoi për dy vite me radhë. Tha që kishte prova për pastrim parash vetëm për të hequr vëmendjen nga skandalet e dosjes “339”, që publikoi gazeta “Bild”. Vetëm për këtë arsye fabrikoi këtë akuzë. Tha që kishte dokumente për para ruse dhe e vetmja gjë që prodhoi ishte tërheqja me turp nga këto akuza. Nuk prodhoi asnjë dokument për këtë akuzë qesharake dhe të turpshme, me të cilën u detyrua të gënjente opinionin publik për dy vite me radhë. Tha që kishte dokumente hetimi kundër PD dhe i vetmi dokument hetimi është dokumenti i Bilalit”, deklaroi Basha nga Kruja, ku ishte në një takim me të rinjtë në kuadër të turit, “Rrugëtimi për Shqipërinë”.

Kreu i PD shtoi se Prokuroria është detyruar të pranojë gënjeshtrat, të cilat i fabrikoi për shkak të presionit politik të Edi Ramës dhe atë 10 për qind, me të cilën ka çuar dosjen në Gjykatë, do ta çmontojmë në gjykatë.

Pyetjes për akuzën e lidhjeve me rusët, Basha iu përgjigj me një gjeagjezë. “Lidhjet me rusët i ka vëllai i Presidentit më të dashur të Putinit në Ballkan. Këtë gjeagjëzë zbërthejeni vetë se besoj i keni informacionet se kush është”, tha ai.

Presidenti më i dashur i Putinit në Ballkan s’mund të jetë njeri tjetër përveç Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Enigma mbetet nëse me “vëllain” e tij, Basha nënkupton Ramën, apo jo.

Më herët, Partia Demokratike e cilësoi si të vonuar mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes që lidhet me çështjen e lobimit të opozitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PD thotë se dosja u sajua dhe më pas zvarrit me urdhër të Edi Ramës për të goditur Lulzim Bashën.

“Sot prokuroria vendosi pushimin e akuzës qesharake që e stisën dhe e përdorën për të goditur kundërshtarin politik sipas një strategjie të miratuar nga zyra e Edi Ramës. Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë. Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq”, thuhet në reagimin e PD.

Opozita thotë se kishte këmbëngulur vetë për hetimin e plotë dhe transparent të të gjitha shpenzimeve financiare të saj, me bindjen se çdo veprim është kryer në përputhje të plotë me ligjin dhe procesin gjyqësor e sheh si mundësi që shqiptarët të njihen plotësisht me këtë dosje.

“Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer”, vijon reagimi.

Partia Demokratike këmbëngul se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar.

“Sot u vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike. Ajo ishte një sajesë e Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA”, deklaron PD.

Opozita thotë se i vetmi hetim në SHBA që lidhet me Shqipërinë është ai që përfundoi me dënimin e dy personave mbi financimin e një fotografie të Edi Ramës me Barack Obamën.

“Edhe pse faktet janë bërë publike, edhe pse është depozituar kallëzim penal nga opozita, edhe pse dosja e drejtësisë amerikane është e plotë, edhe pse avokatët e personave të dënuar deklaruan që kanë vepruar për llogari të Edi Ramës, prokuroria shqiptare nuk ka kryer asnjë veprim. Prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, as ka nisur hetime dhe as ka marrë të pandehur Edi Ramën për financim të paligjshëm, edhe pse ky fakt është provuar tashmë nga drejtësia amerikane”, mbyllet reagimi i PD.

Prokuroria ka marrë si të pandehur Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin nga Partia Demokratike me akuzën e mashtrimit me formularët e deklarimit të financimeve të partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë