Politike

Basha foli në Kuvend për “euro dhe Toyota Yaris”

Kur po fliste për negociatat ditën e enjte në Kuvend, Lulzim Basha deklaroi se Këshilli Europian nuk do t’i hapë ato me Shqipërinë dhe tha se po të mos kishte qenë lobimi i Partisë Demokratike, raporti i europianëve për Shqipërinë do të ishte shumë më i zi.

Kjo deklaratë shkaktoi të qeshura mes socialistëve në sallë. Në këtë moment, kreu i Partisë Demokratike iu drejtua atyre duke bërë një deklaratë të çuditshme.

“Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para 3 ditësh. Mbajeni mend këtë që u them. Ka porositur një Toyota Yaris bashkë me 1.5 milionë euro brenda. Po ta kanë zbuluar Toyotan o zgërdhimtar! Vazhdo qesh, po do ta shikosh se çfarë do të të tunden para hundës shumë shpejt”, tha ai, pa përmendur emrin e deputetit që iu drejtua.

Për këtë deklaratë të Bashës, në fund të seancës u pyet nga gazetarët kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Di që kanë qenë nga PS, Mimi Kodheli, nga PD, Sali Berisha, Lulzim Basha. Nëse Saliu ka qenë me drogë në Toyota dhe e ka parë Lulzimi kjo është çështje e brendshme e PD-së në kuadër të dueleve ndoshta ende të fshehura për lidershipin e PD-së. Basha e ka pasur për detyrë që ta denonconte në stacionin më të afërt të policisë nëse e ka parë këtë”, deklaronte jashtë sallës së Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të socialistëve.

Tre ditë pas këtyre deklaratave të Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës, Policia njoftoi sekuestrimin jo të 1.5 milionë eurove, por të e 4.5 milionë të fshehura në dy makina Toyota Yaris të mbërritura në Portin e Durrësit brenda një kamioni.

Gjithçka erdhi pas një sinjalizimi paraprak të mbërritur pranë autoriteteve shqiptare nga zyra e Europolit në Itali dhe dyshohet se rasti është një tentativë për pastrim parash në vendin tonë.

Sasia e padeklaruar e parave u gjet brenda dy automjeteve pa targa. Mjetet ishin pjesë e 9 makinave që transportoheshin me kamionë nga Belgjika dhe mbërritën me traget me linjën e Ankonës në Durrës. Mjetet transportoheshin nga subjekti Edi Lika, i cili është ndaluar nga policia.

Lika është i licencuar për autoservis në Tiranë dhe transport ndërkombëtar mjetesh për vete, të tretë dhe dhënie me qira. Burime nga policia portuale bëjnë të ditur se janë mbi 4.5 milionë euro që u gjetën pjesërisht në një valixhe dhe të tjera të fshehura në pjesë të ndryshme të mjeteve që po transportoheshin.

Zyrtarisht mbi sekuestrimin e kësaj shume parash të futur në vend përmes Portit të Durrësit nuk ka dhënë asnjë njoftim paraprak, as policia dhe as Dogana e Durrësit, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë