Lajme

Basha: Edhe unë edhe Rama e dimë, negociatat nuk do hapen!

Nga Fieri ku zhvilloi një takim me mbështetës të Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha nuk ishte fare entuziast lidhur me rekomandimin për hapjen e negociatave me BE teksa tha me siguri të plotë se në qershor nuk kanë për t’u hapur negociatat për Shqipërinë.

Ai nënvizoi se vendimi përfundimtar i takon parlamenteve të vendeve të BE-së, të cilat do të bazohen mbi raportet e institucioneve ndërkombëtare.

“Sot, për të tretën herë radhazi, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ne kemi luftuar çdo ditë për hapjen e negociatave, sepse kjo do rriste kontrollin e çdo qeverie, aq më shumë e një bande që i thotë vetes qeveri. Ne urojmë që Shqipërisë t’i hapen sa më parë negociatat. Por ka tre vite që hapja e negociatave është refuzuar. Vendet anëtare të BE-së kanë të gjithë raportet e tyre individuale për zhvillimet në Shqipëri, kanë raportet e agjencive që monitorojnë korrupsionin, për gjendjen e kriminalitetit, për lidhjen e krimit me qeverinë”.

Kryedemokrati u shpreh pesimist për çelhen përfindimtare të negociatave nga ana e KE këtë verë. “Këtë e dinë të gjithë në Shqipëri, e dinë të gjithë në Bruksel. Partnerët tanë ja kanë bërë të qartë atij, siç më kanë informuar edhe mua, se në gjendjen aktuale Komisioni Europian i qershorit do të votojnë për mos hapjen e negociatave dhe ky është një ndëshkim për Edi Ramën”, tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, Rama i druhet hapjes së negociatave, pasi siç tha, ai e di se vendet ku janë hapur negociatat, të parët që e pësojnë janë politikanët që kanë abuzuar me pushtetin.

“Ai e ka frikë hapjen e negociatave. E di shumë mirë se në vendin ku janë hapur negociatat, të parët që kanë dalë para drejtësisë janë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin. Ai po bën gjithçka për të mos hapur negociatat”, tha kryedemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë