Politike

“Pastrimi i politikës” në dorë të Venecias

Mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe e Komisionit të Ligjeve në Kryesinë e Kuvendit për shqyrtimin e propozimit të opozitës për vettingun e politikanëve nuk pati asnjë surprizë. Mazhoranca, ashtu siç kishte paralajmëruar gjeti një rrugë të mesme mes refuzimit të drejtpërdrejtë me kartonë dhe kalimit për në seancë plenare.

Propozimet e Partisë Demokratike do të kenë fatin e ligjit të vettingut në drejtësi, duke u dorëzuar në Komisionin e Venecias për një mendim. Por, edhe nëse Venecia jep një mendim pozitiv për këtë nismë, sërish shndërrimi i saj në ligj nuk është i garantuar, të paktën në tërmat që përdori kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Le ta dërgojmë në Venecia dhe të marrim një mendim miqësor prej Venecias”, deklaroi ai në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Por, demokratët këmbëngulën se ligji nuk ka nevojë që të dërgohet në Venecia dhe akuzuan kolegët e shumicës se në të vërtetë konsulenca e Venecias synon vonesën e ligjit.

“Pse doni ta shtyni? Pse keni frikë nga vettingu i politikanëve? Pse keni frikë nga barazia e ligjit edhe për deputetët?”, deklaroi deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

PD thotë se nisma e saj është një “copy-paste” e ligjit të vettingut në drejtësi, me të vetmin ndryshim se në vend të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sitë do të kalojnë zyrtarët e lartë të shtetit. Duke qenë se vettingu i drejtësisë ka kaluar njëherë nëpër duart e ekspertëve të Venecias, Alibeaj thotë se nuk është nevoja që propozimi i demokratëve të dërgohet në këtë Komision.

“Përmbajtja e ligjit është e njohur. Publiku e njeh problemin, sepse po e vuajnë çdo ditë kriminalizimin e politikës. Standardin e nismës e ka përcaktuar Venecia, kur ka folur për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Venecia e ka shqyrtuar këtë nismë me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, vijoi ai.

Nëse Enkelejd Alibeaj sfidoi mazhorancën me votimin, ose jo të këtij propozimi, Bylykbashi rikujtoi parimet kryesore të nismës.

“Do të jetë një proces krejtësisht i pavarur dhe i palidhur dhe i pandikuar nga vetingu i drejtësisë. Do të jetë një model shumë më i thjeshtë dhe i qartë, afër modelit që u përdor për dekriminalizimin. Do të kryhet nga një strukturë profesionistësh krejtësisht të pavarur nga politika. Nuk mund të jetë kurrsesi një strukturë parlamentare dhe aq më pak një strukturë e përbërë nga përfaqësues partiakë: do ishte absurde dhe tallëse: politikanët do të jenë subjekt i vetingut dhe jo zbatues të vetingut. Do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare”, tha ai.

Opozita këmbënguli që procesi i ndryshimeve kushtetuese për t’i hapur rrugën vettingut në politikë të mbyllet brenda një jave. Në fund, as Alibeaj dhe as Bylykbashi nuk ja dolën mbanë që të bindnin kolegët e mazhorancës që të ngrinin kartonin jeshil për vettingun, duke lënë në enigmë aksionin opozitar, ku, të paktën sipas atyre që ka thënë Lulzim Basha, nuk përjashtohet as djegia e mandateve në grup nëse nuk kalohet vettingu.

Basha e nisi ditën me vettingun politik; Rama me rritjen e rrogave

Ditën kur Këshilli i Legjislacionit do të mblidhej për të vendosur për nismën e Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve, Lulzim Basha e nisi me një video-mesazh të shkurtër në rrjetet sociale.

Në 65 sekonda, kreu i demokratëve shënjestron Kryeministrin Edi Rama dhe risjell në kujtesë disa deklarata të shefit të Qeverisë, që sipas video-mesazhit Rama mohon kanabizimin e vendit dhe më pas edhe problemet me ligjin të disa deputetëve në grupin parlamentar të socialistëve.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/639347746467810/

Për Lulzim Bashën, mjaftojnë këto deklarata për ta lidhur Edi Ramën me krimin dhe mesazhi i përcjellë prej tij është i shkurtër dhe i qartë.

“Politikanët e lidhur me krimin duhet të largohen! Vetting në politikë pa vonesë”, shkruan kryetari i Partisë Demokratike në shënimin shoqërues të videos së publikuar.

Pak orë më vonë, Kryeministri doli vetë para mediave dhe si gjithmonë edhe përmes ERTV-së. Nën strategjinë e zgjedhur për të “injoruar” akuzat e opozitës përmes kundërstrategjisë “E gjithë vëmendja tek Ju”, foli vetëm për buxhetin 2019 dhe disa nisma lehtësuese, që sipas tij do të ndërmerren përmes këtij buxheti dhe paketës fiskale.

“Jemi gati, sepse kemi bërë reforma, kemi vendosur rregull në financat dhe sot na e lejojnë llogaritë diçka që do të ishte e pamendueshme pak vite më parë. Do të ketë rritje pagash në arsim, shëndetësi dhe ushtri. Do të kemi lehtësime të rëndësishme taksah, kryesor lehtësimi për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit, që do të hyjë në kategorinë e biznesit të vogël dhe nuk do të konsiderohet më biznes i madh, deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit”, u shpreh ai.

Mes nismave kujtoi edhe atë të shumëfishimit të shpërblimit për të porsalindurit dhe temën e vettingut në politikë, duket se ja la Këshillit të Legjislacionit, që vendosi ta dërgojë në Venecia, megjithëse vetë mazhoranca ndan bindjen se propozimi është një “sabotim” të vettingut të vërtetë, atij të reformës në drejtësi. Socialistët thonë se politika nuk mund të pastrojë vetveten dhe se këtë pastrim do të bëjnë SPAK dhe BKH, dy institucionet që pritet të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë