Politike

Basha: Cakaj një figurinë, punoi 7 muaj pa çertifikatë sigurie

Në intervistën e tij të parë për vitin 2018, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur rreth debatit të hapur për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme nga Presidenti Ilir Meta.

Basha tha se nga faktet e bëra publike për të, Cakaj nuk është kandidatura e përshtatshme për postin e ministrit të Jashtëm, sepse sipas tij ka punuar për 7 muaj si zv.minisstër i Jashtëm pa çertifikatë sigurie

“Meqë e nisim më këtë rast, dua të shpreh bindjen se kandidatura e Cakajt nuk është e përshtatme për atë post. Çështja më e rëndësishme nuk është standardi që vendos Presidenti, por për standardin që vendos Kryeministri, - tha Basha në emisionin "Opinion". – Caka nuk përfaqëson asgjë, vetëm rënien e fasadës. Ai mund të jetë djalë shumë i mirë, por është figurinë. Të gjithë ministrat, ata të shkarkuar dhe të emëruar kanë qenë të një fasade, vendimet i merrte Rama, si në rastin e Unazës, që vendimin e ka marrë Rama. Me largimin e tyre ka rënë fasada, tashmë ky ka vendosur ta heqë fasadën. Rama ka mbaruar së qeverisuri. Problemet që kanë krijuar përmes korrupsionit, krizës ekonomike, tani do t’i transferojë duke krijuar paradigma”.

Basha u shpreh se çertifikimi brenda 24-orësh i Cakajt zbulon si Rama e ka përdorur DSIK-në për të kontrolluar politikisht vetingun në drejtësi.

“Para disa javësh shtypi britanik ka ngritur këtë shqetësimin për ruajtjen e sekretit nga Shqipëria. Sa qëndron apo jo, s’e di. Por të jesh vend anëtar i NATO-s nuk ka vetëm privilegje dhe të drejta, të drejtën që po të të sulmojë dikush, të gjitha vendet do të çohen të të mbrojnë ty, ka edhe detyrime. Dhe pikërisht në këtë kohë, një nga hallkat, natyrisht jo më të forta të Aleancës, një vend i cili është përfolur për problematikë në mbrojtjen e sekretit shtetëror, propozon për ministër të Jashtëm, ministri më kryesor i NATO-s, sepse të mos harrojmë, NATO është një aleancë politiko-ushtarake, jo ushtarako-politike, një person i cili ka neglizhuar për të paktën 6-7 muaj çertifikatën e sigurisë. Ka qenë ky person këto kohë me informacion të klasifikuar? Këto janë pyetje që duhet të jenë subjekt i një inspektimi zyrtar, shtetëror, nga institucionet përkatëse. Po ju them një gjë fare qartë: këtu kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjit, si dhe të sigurisë kombëtare dhe të sigurisë së NATO-s”, - shpjegoi kryedemokrati.

Basha më tej vuri para përgjegjësisë DSIK-në që nuk e ka pajisur me çertifikatë sigurie Cakajn. “Ajo që më shqetëson këtu mua nuk është thjesht çertifikimi brenda 24 orësh që është thjesht i pabesueshëm. Kjo është bërë me urdhër politik dhe këtu vjen problemi i dytë. Urdhri politik është dhënë nga njeriu i cili e ka propozuar. Është përgjegjësi e DSIK-së që zoti Caka për 7 muaj ka vepruar pa çertifikatë sigurie, - shtoi ai. - Vijmë tek momenti tjetër. Kjo DSIK, që merrka urdhra të tillë politikë, e dini ju që DSIK është ajo që vendos dhe çon informacione për prokurorët në procesin e vetingut. Kjo zbulon atë për të cilën opozita, PD, ka ngritur alarmin prej kohësh, që vetë procesi i vetingut është një proces i kontrolluar politikisht nga Edi Rama”.

Basha nuk iu përgjigj direkt pyetjes nëse e përshëndet vendimin e Presidentit ose jo, duke thënë se nuk i intereson fare kjo pjesë, pasi sipas tij “problem është Rama, sepse ai i kundërvihet SHBA, interesave esenciale të kombit tonë, ku qëndron sovraniteti e integriteti i Kosovës. A është ky një vendim që vjen se Caka vjen se është shqiptar i Kosovës? Jo nuk është kjo, por duhet të pyesni Presidentin”.

Basha nënvizoi se opozita po bën punën e saj sa i takon denoncimit të skandaleve të panumërta të qeverisë. “Dhe për shkak të detyrës sonë, ju e dini që s’kishte mushkonja, por drogë, ju e dini që Tahiri nuk ishte ministër shembullor, por trafikant, ju e dini që Xhafaj duhet të zbatonte ligjin, por ai e shkelte”.

Basha pranoi se PD do të hyjë në zgjedhjet lokale të qershorit, duke thënë madje se do t’i fitojë, por gjithnjë nëse do të jenë zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë