Politike

Basha: Berisha ka hallin e tij personal, le te shfryjë mllefin, do kalojë si virozat

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi gjatë një takimi me demokratët e degës numër 8 Tiranë se beteja e Sali Berishës është për hallin e tij personal dhe se ky është një cikël që do mbyllet shpejt.  

“...Sali Berisha filloi një lëvizje të tërë vetëm për hallin e tij personal. Dhe përfundoi ashtu siç ju thashë, ishte gati t’i vinte, ai bashkë me një grusht njerëzish që për karrigen e tyre janë gati t’i vënë zjarrin shtëpisë së tyre e treguan se kjo nuk është një betejë as për demokracinë, as për demokratët, por për hallin personal të Sali Berishës dhe për karriget e tyre. Jo sot, edhe dje, edhe para 5 vjetësh, edhe para 10-vjetësh, edhe kur kemi qenë në pushtet ishin gati t’i nxirrnin sytë çdo demokrati të ndershëm për karriget e tyre, për pushtetin e tyre personal të cilin gjithmonë e ka ndërtuar mbi sakrificën e demokratëve të ndershëm duke marrë e duke menduar çfarë të marrin kur çdo demokrat i ndershëm mendon çfarë të japi për këtë vend. Njerëzit e kanë kuptuar këtë...

A mund t’i falja unë Edi Ramës kënaqësinë e një përplasje me demokratët si ajo që u përpoq të bënte Sali Berisha me ata pak njerëz që për karrigen e tyre janë gati të djegin Shqipërinë me datë 8 janar?

A mund t’ia lejoja vetes time në radhë të pare, që ky që më njihni si çunin e lagjes tuaj, edukatës time familjare, sensit tim si demokrat që në momentin e parë që ka lind kjo parti e jo më pastaj përgjegjësisë që më keni ngarkuar si kryetar i Partisë Demokratike t’i vija demokratët kundër njëri-tjetrit?

Jua kam thënë në fillim kush më ka pyetur, jo nuk e bëj. Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë...”, tha Basha.

Kjo, sipas tij, është një arsye që demokratët të jenë bashkë.

“Jemi shumica absolute këtu e strukturave drejtuese, nesër do të jemi edhe më shumë siç ishim dje, siç ishim para 4 apo 5 ditësh, siç do të jemi nesër sepse demokratët nuk janë bashkë as për emrin, as për karrigen, as për famën e një njeriu të vetëm. Janë bashkë sepse tek bashkimi jonë shohin dhe gjejnë forcën për t’u bërë më të mirë, më të fortë, më të gatshëm që t’i përgjigjemi kujt? Kërkesave të shqiptarëve...”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë