Lajme

Basha bën bilancin e takimeve në PPE: Kemi mbështetjen e BE

Lulzim Basha ka bërë një bilanc pozitiv nga takimet e zhvilluara me udhëheqësit e Bashkimit Europian gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e Partive Popullore Europiane që u mbajt në Zagreb të Kroacisë.

Ai thotë se shqiptarët kanë mbështetjne e fortë të drejtuesve kryesorë të BE-së dhe të vendeve më të mëdha të unionit.

“Kjo më është komunikuar në të gjitha takimet që zhvillova gjatë Kongresit të Partisë Popullore Europiane, duke nisur nga Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula Von De Leyen, Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurtz, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Irlandës Leo Varadkar, si dhe nga drejtuesit e politikës së jashtme ne Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare”, deklaron Basha.

Mbështetjen Basha e lexon edhe mes rezolutës së veçantë të miratuar nga BE, ku sipas tij, veç mbështetjes përcaktohen edhe detyrat për Shqipërinë.

“Partia Popullore Europiane nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut dhe miratimin konsensual nga partitë politike, të një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thotë kreu i PD.

Po në këtë rezolutë, Basha thotë se PPE thekson se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standardet europiane.

“PPE bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit. PPE shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë dhe pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019”, shton kreu i PD-së.

Basha e mbyll bilancin e takimeve duke deklaruar se plotësimi i kushteve, jo në letër por në realitet, janë e vetmja rrugë që do të afrojë Shqipërinë me BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë