Politike

Basha: Arta Marku e Donika Prela, në burg. Shtojca kriminale të Ramës

Transferimi i dosjes “184” nga Prokuroria për Krimet e Rënda tek Prokuroria e Dibrës, për Lulzim Bashën është provë që vulos shndërrimin e organit të akuzës në një shtojcë të asaj që ai e quan “organizata e strukturuar kriminale e Rilindjes”.

Basha foli për gazetarët nga Selia e PD-së në përfundim të një takimi me ambasadorin e ri gjerman në Tiranë. Kreu i demokratëve paralajmëroi kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku se do të kenë fundin e Katica Janevës, kryeprokurores speciale në Maqedoninë e Veriut që u arrestua me akuzohën gjobëvënies.

“Donika Prela dhe Arta Marku janë që të dyja të ndëshkuara penalisht nga ligji, sepse kanë mbuluar një vepër të rëndë kriminale, atë të grupit të strukturuar kriminal”, tha Basha.

Zbutja e akuzës nga ajo e “bashkëpunimit në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë” interpretohet nga Lulzim Basha si hapi i radhës në përpjekjet e qeverisë për të mbyllur dosjen 184 para ngritjes së SPAK-ut.

Basha komentoi edhe rastin e Agim Kajmakut, kryebashkiakut socialist të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Vorës. PD kërkon verifikimin në kuadër të dekriminalizimit të së shkuarës së tij duke deklaruar se ai rezulton i arrestuar dhe dëbuar nga Greqia. Basha e përsëriti këtë akuzë, por tha se edhe vetë Edi Rama është në dijeni të dënimit të Agim Kajmakut.

“Çështja është se sa kriminelë ka vendosur Edi Rama në krye të bashkive të vendit?”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se së shpejti do të prezantohet do të prezantojë një platformë për të nxjerrë vendin nga kriza e përgjithshmen ekonomike, politike dhe kushtetuese. Burimi i kësaj krize, Basha thotë se është vetëm Edi Rama dhe kriminalizimi i qeverisjes së tij.

Basha nuk dha detaje nga biseda në takimin me ambasadorin e ri gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, por falenderoi Gjermaninë si një ndër vendet e para që ka ngritur shqetësimin dhe zërin për nevojën e zgjidhjes së krizës. Kreu i PD-së konfirmoi se në shtator një delegacion me emra të rëndësishëm nga Berlini do të vizitojë Tiranën me agjendë zgjidhjen e krizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë