Portofol

Barometri i Ballkanit 2018: Shqiptarët të frikësuar nga papunësia

Papunësia vazhdon të mbetet si kërcënimi kryesor nga i cili shqiptarët frikësohen. Shtoji kësaj frike edhe hendekun në rritje mes të varfërve dhe të pasurve, pritshmëritë për përmirësim të ekonomisë individuale dhe të shoqërisë në tërësi mbeten të pakta.

Indeksi i vrojtimit të mendimit të publikut në Ballkan 2018, tregon se gjendja e tregut të punës në ekonomitë e Europës Juglindore vazhdon të influencojë në masë mendimin dhe pritshmëritë e njerëzve.

Shumica dërrmuese e të anketuarve në rajonin e EJL-së (83%) përshkruajnë hendekun mes të pasurve dhe të varfrëve si në zgjerim e sipër, me shifra veçanërisht të larta në Bosnjë dhe Hercegovinë (92%). Kosova ka një numër të lartë të të anketuarve që shohin hendekun në rritje (70%).

Krijimi i vendeve të punës gjerësisht ka ndodhur me paga të vogla dhe në sektor me produktivitet të vogël .

Shqipëria është përsëri në krye të tabelës ashtu si vitin e kaluar me 15% të të anketuarve që kanë humbur punën e tyre gjatë 3 viteve të fundit. Për këtë, në Shqipëri, të anketuarit kanë thënë në një masë më të madhe se pjesa tjetër e rajonit (28%) se kanë prioritet sektorin privat të punës për arsye të sigurisë së punës.

Në Shqipëri, ashtu si edhe në Serbi  ka një përqindje më të lartë të atyre që e vlerësojnë statusin e tyre nën mesataren (33%). Pjesa më e madhe e popullsisë në të gjithë ekonomitë e anketuara, vlerësojnë statusin e tyre social si mesatar. Njerëzit me arsim të lartë kanë më shumë gjasa të vlerësojnë statusin e tyre mbi mesataren. Rreziku i perceptimit të varfërisë ka mbetur kryesisht i pandryshuar, rreth një e treta e të anketuarve e përshkruajnë veten si nën kërcënim ndaj varfërisë.

Si në të kaluarën, varësia nga remitancat cilësohet si e habitshme si me Shqipërinë, ashtu edhe me Kosovën përkatësisht (6% mbi mesataren) dhe (78 % mesatarisht). Kosova  është shumë e varur nga kjo formë e të ardhurave.

Indeksi i vrojtimit të mendimit të publikut në Ballkan përbëhet nga pesë pyetje:

Sa i kënaqur je me mënyrën se si po shkojnë gjërat në shoqërinë tënde?

Sa i kënaqur je me situatën financiare të familjes?

Sa I kënaqur je me situatën ekonomike në shoqërinë tënde?

Cilat janë pritshmëritë për vitin e ardhshëm? A mendon se në 12 muajt e ardhshëm situate jote financiare do të jetë më e mirë, më e keqe, apo e njëjta?

Cilat janë pritshmëritë e tua për ekonominë kombëtare?

Indeksi në fjalë përfaqëson një matje të gjendjes së mëparshme, aktuale dhe të pritshme të ekonomisë së një shoqërie, ashtu si dhe situatën e individëve dhe të familjeve që kanë marrë pjesë në vrojtim. Është një monitorim i ndryshimeve në Rajonin e Europës Juglinodre.

Vlera e Indeksit të 2017-ës për Rajonin e Europës Juglindore tregon përgjithësisht të jetë në të njëjtin nivel me vitin e kaluar dhe mbetet
nën mesataren ( 42 nga 100). Indeksi i pritshmërisë ka qenë historikisht shumë më shumë pozitiv se sa mendimi  për situatën aktuale. Indeksi i pritshëmrisë (52) dhe mendimi për gjendjen aktuale (35).

Papunësia ndër shqiptarë

Me gjithë shifrat zyrtare në rritje të punësimit sipas Anketës së Forcës së Punës, besimi i shqiptarëve për një vend pune është pesimist. Një nga faktorët kryesorë në rastin më të mirë të gjetjes së një vendi pune, është raporti profesionalizëm-pagë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 2017 niveli i punësimit është rritur me 3.3% krahasuar me vitin paraardhës.

Por, rreth 30% e të punësuarve kanë pagë minimale, 24 mijë lekë.

Sipas anketës, personat që marin pagë të lartë janë: Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët e specialistët në zbatim etj.

Forca e punës është 1.385 mijë persona. Të punësuar janë 1.195 mijë persona. Të papunë janë 190 mijë persona.

Të rinjtë jo në punësim e as duke ndjekur ndonjë trajnim

Në vitin 2017, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 29,7 % të të rinjve gjithsej. Në këtë grup, 35,0 % e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (9,7 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (21,9 %), ose për arsye të tjera (33,4 %)

Tregues sipas qarqeve

Në vitin 2017, qarqet me shkallë punësimi më të lartë janë: Elbasan (61,2 %), Dibra (55,5 %) dhe Fieri (54,7 %), ndërsa ato me shkallë punësimi më të ulët janë Durrësi (45,7 %) dhe Vlora (44,9 %). Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë qarku i Vlorës me 23,9 % dhe ai i Tiranës me 16,7 % ndërkohë që shkalla më e ulët vërehet në qarkun e Dibrës me 7,4 %.

Në vitin 2017, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 48.967 lekë. Kjo pagë është llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, dhe mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë dhe kontribuesit, shtetas shqiptarë e të huaj, për të cilët ndërmarrja deklaron pagë mujore bruto./S.Veizaj/



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë