Politike

Bardhi: SPAK të shkojë te Rama, Beqja e Manastirliu. Tabaku: Para përgjegjësisë, nivelet e larta të çdo epoke

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka komentuar urdhër arrestet e SPAK dhe GJKKO për koncesionin e sterilizimit.

“Korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publike, për klientë të parazgjedhur të Qeverisë së Edi Ramës është fenomen i shtrirë kudo në çdo segment të qeverisjes. Ai ka marrë tashmë tiparet e një modeli të përgjithshëm qeverisje që ka dëmtuar rëndë interesin publik.

Korrupsioni me kontratat publike në shëndetësi nuk është i izoluar vetëm tek koncesioni i sterilizimit. Ai shtrihet nga koncesioni i check-up, e deri tek kontratat sekrete për furnizimet në periudhën e pandemisë”, thotë Bardhi.

Duke përshëndetur SPAK dhe GJKKO për hapin e parë të hedhur sot për ndëshkimin e korrupsionit në shëndetësi, shkruan bardhi, duhet të gjithë bashkë të nxisim SPAK të hetojë me guxim dhe përgjegjshmëri personat real përgjegjës për këto abuzime. “Edi Rama, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu duhet të hetohen e ndëshkohen për miliona euro abuzime e vjedhje në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, thotë Bardhi.

Ndërkohë për deputeten Jorida Tabaku, historia e koncesioneve shqiptare që individë me duar në xhepa, pa asnjë kapital, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë me plusin e vetëm se kanë lidhje me qeveritarë dhe kështu arrijnë të fitojnë koncesione multimilionë euro është e vërteta e korrupsionit! 

“Inceneratorët, kontratat e koncesioneve të rrugëve të florinjta apo dhe koncesionet e shëndetësisë ku më e “shkëlqyera” ndër to është sterilizimi. Si shembull më i mirë që nga llaçi dhe tullat shkon tek shëndetësia sepse pronari i koncesionit është i lidhur me qeveritarë. Kështu u fituan 100 milion euro nga buxheti shtetit dhe kështu vidhen sistematikisht taksat në rritje të shqiptarëve!

Arrestimet e sotme nga SPAK që lidhen me koncesionin e Sterilizimit janë realisht një tjetër goditje që e përshëndes dhe mbështes pasi krimi dhe korrupsioni duhen ndëshkuar”, thotë Tabaku.

Sipas saj, SPAK duhet të vazhdojë ndëshkimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të korrupsionit të niveleve të larta të çdo epoke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë