Politike

Bardhi: Po përdoret standard i dyfishtë, për Ahmetajn 1400 faqe, për Berishën 5 faqe relacion pa asnjë provë  

Gazment Bardhi nuk ishte në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandatet kur u diskutua kërkesa e SPAK për Sali Berishën por u pa i pezmatuar në një dalje për mediat pas mbledhjes së grupit lidhur me dokumentacionin që kishte përcjellë Prokuroria e Posaçme.

“Për ne është e papranueshme që në rastin e Arben Ahmetajt prokuroria e Posaçme u paraqit e përgatitur me një dosje prej 1400 faqesh, 200 faqe relacion dhe bashkëlidhur kësaj provat ndërkohë që për Berishën ka ardhur një relacion me 5 faqe dhe asnjë provë shoqëruese”, u shpreh Bardhi. Bardhi e përmendi disa herë këtë fakt gjatë një prononcimi për mediat.

“Ne nuk jemi jashtë realitetit, në të gjitha diskutimet tona kemi analizuar dhe veprimtarinë e djeshme të këshillit të mandative. Shpreh keqardhjen për standardet e dyfishta që ndjekin kolegët e mazhorancës, kur bëhet fjalë për deputetët e mazhorancës ka efekt imuniteti, kurse kur bëhet fjalë për deputetë të opozitës nuk ka rëndësi çfarë shkruan Kushtetuta, por mjafton vullneti politik i Edi Ramës.

Në gjykimin tonë, gjykuar dhe në praktikë që ky Kuvend ka ndjekur në rastet e mëparshme, ndalimi për të lëvizur jashtë vendit dhe paraqitja, duhet të autorizohet nga Kuvendi. Kjo jo vetëm që ka ndodhur, por dje në mbledhjen e Këshillit është marrë një vendim i parregullt.

Dosja e ardhur në Kuvend nuk ka asnjë provë, dhe për ne është e papranueshme. Kuvendi është një strukturë politike që gjykon mbi bazën e autoritetit të Kushtetutës, dhe ai autoritet është, jep apo nuk jep autoritet për heqjen e imunitetit. Dokumentacioni i plotë për Berishën mungon.

I bëj thirrje SPAK të ndërmarrë akte vetëm me forcën e ligjit, asnjë akt që nuk bazohet në ligj nuk i shërben interesit publik dhe as forcimit të besimit të prokurorisë te njerëzit”, tha Bardhi.

Edhe pse u pyet dendur nga media se çfarë do të bëjë të enjten, a do t’i bashkohen Berishës në protestë, Bardhi tha se gjithçka do të mësohet atë ditë.

 "Unë, Berisha dhe çdo deputet opozitar jo vetëm të duhet të bashkëpunojmë, por të jemi bashkë kundër regjimit të Edi Ramës. Çdo protestë ka patur dhe do të ketë mbështetjen time".

Ndërkohë, Sali Berisha tha pas mbledhjes së grupit se të enjten (kur do të votohet raporti që i hap rrugë SPAK për arrestimin e tij), do të ketë një protestë përballë saj.  

Berisha la të kuptojë se asaj proteste do t’i bashkohen edhe deputetët që mbështesin Bardhin.   

“Ditën e enjte Shqipëria është para parlamentit. Të bashkuar absolutisht. Ditën e enjte është para parlamentit, Tirana dhe Shqipëria”.

Çfarë do të ndodhë, pas ditës se enjte? “Betejë pa kthim, betejë pa kthim”

Më herët, Berisha shprehu hapur qëndrimin se nuk do të zbatojë vendimin e SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë