Në Gjykatën e Tiranës, sot duhej të mbahej seanca për shqyrtimin e kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
Por seanca u shty për në 30 prill, pasi Gjykata e Tiranës duhet të administrojë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për vulën e PD-së.
Përfaqësuesi ligjor i Bardhit, Marash Logu, tha se Basha nuk është faktikisht kryetar i PD dhe ky është absurd ligjor dhe faktik.
“Sot Gjykata e Lartë është një gjykatë në vlerësim të ligjit. Seanca e sotme u shty për në 30 prill. Në kohën që u kërkua ky vendim nuk i është vënë në dispozicion gjykatës së Tiranës. Zbardhja e vendimit në Gjykatën e Lartë mori kohë. Presim një reflektim dhe një gjykim të drejtë. Lulzim Basha nuk është kryetar o PD dhe nuk mundet që drejtimi i PD, legjitimitet i forcës opozitare në vend, të varet nga një vërtetim që merret me 200 lekë. Është një çështje absurdi. Ndaj zoti Bardhi kërkoi që emri i Bashës të fshihej si kryetar i PD. Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD” tha ai.
Por Rezart Kthupi, përfaqësuesi Ligjor i PD-së së Bashës kishte një tjetër reagim.
"Për të qartësuar mjegullën e mashtrimeve dhe dezinformimeve në lidhje me procesin e sotem gjyqesor në Gjykatën e Tiranës kjo e fundit vendosi:
1) të ndërpresë shqyrtimin gjyqesor me qëllim verifikimin e legjitimitetit (te drejtes për t' ju drejtuar Gjykatës) të të ashtuquajturit "mbledhje online e Këshillit Kombetar" të perfaqesuar nga shtatë deputetë.
2) tërheqjen e Vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 27 dhjetor në kopje të njejtë me origjinalin.
Vetëm nëse pala kërkuese, e ashtuquajtura "mbledhje online e Këshillit Kombetar", ja del të provojë përpara gjykatës se ajo e gëzon te drejtën ti drejtohet Gjykatës do të mund të fillojë procesi gjyqesor", tha Kthupi.
Bardhi është shprehur më herët se, një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata
Por ndryshe nga sa pretendon Bardhi, Lulzim Basha, i ka paraprirë kësaj situate ku i ftuar nga moderatorja, Grida Duma, pak kohë më parë në TCH u shpreh se ai nuk kishte dhënë dorëheqjen de jure asnjëherë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.