Futboll

Barcelona rrezikon falimentimin

Një lajm jo i mirë vjen nga Spanja. Barcelona mund të shkojë drejt falimentit, nëse nuk arrin të reduktojë pagat në shumën e 190 milionë eurove brenda një jave, sipas RAC1. Negociatat për këtë ulje filluan dje, me një takim midis avokatëve të klubit dhe atyre të futbollistëve.

Do të jetë një luftë me kohën, sepse para 5 nëntorit të ardhshëm duhet të bihet dakord për reduktimin e pagave në masën 30%: borxhet e 30 qershorit 2020 arrijnë në 900 milionë euro, nga të cilat 480 milionë euro për t’u shlyer në afat të gjatë dhe 420 milionë eurot e të tjera brenda 12 muajve. Sipas medias së lartpërmendur, nëse nuk arrihet marrëveshja, klubi mund të hyjë në procesin e falimentimit në janar. Situata e Messit është një nga më shqetësueset. Nëse ai vendos të mos rinovojë, klubi do të duhet t’i paguajë një bonus në fund të kontratës.

Carles Tusquets, presidenti administrues i klubit, pas dorëheqjes së Josep Maria Bartomeu dhe bordit të tij, theksoi në paraqitjen e parë, të enjten, se sa e vështirë është situata: “Shqetësimi ynë kryesor është ai financiar. Pandemia, veçanërisht po prek Barcelonën. Klubi varet nga turizmi dhe tani nuk ka aktivitet të tillë. Situata nuk është e rehatshme, ne duhet të mbledhim idetë e takimit të mëparshëm për të korrigjuar sëmundjet që na prekin”.

Barça ka parë të ulen të ardhurat e saj në mënyrë dramatike për shkak të pandemisë dhe gjithçka tregon se situata do të vazhdojë kështu, ndoshta deri në fund të sezonit. Dyqanet dhe muzeu i klubit janë prekur keq. Edhe premiot e Ligës së Kampionëve, gjithashtu kanë pësuar shkurtime. Plani është t’i shlyejë ato sa më shpejt të jetë e mundur por, siç thekson RAC1, kthimi i 791 milionë eurove në sezonin 2020/21 duhet menjëherë. Në prag janë zgjedhjet për president dhe vetëm një plan konkret dhe rikthimi i tifozëve në stadiume mund të shpëtonte klubin.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë