Futboll

Barcelona drejt një ndarjeje historike me Nike, synon të krijojë një markë të vetën

Gazeta Si – Klubi katalanas kërkon të rritë të ardhurat ekonomike dhe presidenti Johan Laporta synon të prodhojë një markë veshjesh të vetën. Dy kompanitë po shkojnë drejt ndarjes pas më shumë se 25 vjet bashkëpunim.

Do të ishte një ‘divorc’ i dhimbshëm. Marrëveshja komerciale mes dy kompanive zgjat prej 1998-ës, kur këshilli me president Josep Luis Nunjez firmosi një kontratë me brandin e njohur amerikan për prodhimin e fanellave.

Që atëherë Barcelona dhe Nike e kanë ridiskutuar disa herë bashkëpunimin mes tyre, që skadon më 30 qershor 2028. Shenjat e ndarjes së katalanasve me Nike janë dhënë më parë dhe për këtë arsye klubi është vënë në lëvizje për të kërkuar alternativa.

Puma ka treguar interes të fortë për të zëvendësuar Nike, duke i ofruar Barçës pak më shumë se 100 milionë euro në sezon, ndërsa Nike paguan rreth 85 milionë euro në vit. Por ka edhe një alternativë tjetër, që presidenti Joan Laporta ngulmon ta realizojë. Ai synon të krijojë një markë të vetën.

Pas takimeve të fundit me Nike pa një përfundim pozitiv, opsioni i krijimit të një marke të vetën po shihet me përparësi për sezonin e ri. Laporta synon ta bëjë nëpërmjet BLM, që aktualisht prodhon gjithë veshjet josportive të klubit, si dhe aksesorët me etiketën e klubit.

Ndarja e Barcelonës me Nike duket se nuk do të vijë në formë miqësore, sepse klubi spanjoll ka penalitete për shkak të prishjes së kontratës. Avokatët kanë filluar punën tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë