Futboll

“Barçagate”/ Bartomeu lihet i lirë, debat mes tre kandidatëve për president

Ditë e ngarkuar përreth “Camp Nou”-t. Në një nga sallat e stadiumit, tre kandidatët për president në zgjedhjet e së dielës, Viktor Font, Toni Freiksa dhe Joan Laporta, kanë nisur një debat elektoral. Në mesditë, ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i arrestuar një ditë më parë, është kthyer në shtëpi.

Bartomeu është lënë i lirë, por emri i tij mbetet në regjistrin e hetimit të “Barçagate”. Pastaj ishte radha e trajnerit Koeman të dilte në konferencë shtypi dhe të fliste për ndeshjen e nesërme me Seviljen, gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Mbretit.

Debati për zgjedhjet ka qenë i ashpër. Laporta është favorit, Font shpreson, ndërsa Freiksa në vështirësi edhe për shkak të lidhjes me Bartomeun. Ish-presidenti fjeti në komisariat, ashtu si dhe ish-krahu i tij i djathtë, Jaume Masferrer, pastaj shkoi në gjykatë dhe mbajti të njëjtën linjë: heshtje. Është një e drejtë e tij, ndërsa gjykata e ka lënë të lirë, por akuzat ndaj tij mbeten. Të hënën në mbrëmje u liruan edhe dy drejtuesi e Barçës, Oskar Grau dhe Roma Gomez Ponti.

Trajneri Koeman në "Camp Nou". Gazeta Si, 2 mars 2021

Në gjithë këtë situatë, Koeman është përpjekur të përgatitë ndeshjen që mund të ndryshojë sezonin. Ndeshja e parë në “Sanchez Pizjuan”, më 10 shkurt, përfundoi 2-0, të shtunën në kampionat, në të njëjtin stadium, Barça fitoi me të njëjtin rezultat dhe katalanasit besojnë te përmbysja në Kupën e Mbretit.

Koeman ka folur edhe për arrestimin e Bartomeut: "Janë gjëra që kanë ndodhur para ardhjes sime këtu, por është e qartë se kjo histori nuk është pozitive për imazhin e klubit. Më vjen keq për Bartomeun dhe Oskar Graun, i njoh personalisht. Për mua Bartomeu ka qenë gjithmonë një person i jashtëzakonshëm. Ne duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme”, - tha Koeman.

Në debatin mes 3 kandidatëve për presidencën e Barcelonës është folur shumë për Ksavin, si trajnerin e ardhshëm. “Nuk më shqetëson ky fakt, - u shpreh Koeman. – Është normale të përmenden emra, por nuk shqetësohem. Presim të mësojmë kush do të jetë presidenti i ri. Nuk ka rëndësi, nëse rri një vit apo pesë, jap gjithmonë maksimumin. Kur firmosa, e dija ku po vija dhe në çfarë momenti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë